

Gramsh | Konflikt për motive të dobëta, baba e bir plagosin rëndë 34-vjeçarin me sende të forta
Një konflikt i dhunshëm për motive të dobëta ka ndodhur mbrëmjen e 4 janarit 2026 në Gramsh, në zonën e njohur si “Departamenti i Bujqësisë”, ku një 34-vjeçar ka mbetur i plagosur rëndë pas përleshjes me disa persona.
Sipas të dhënave, shtetasit R. D., 51 vjeç, dhe djali i tij R. D., 27 vjeç, dyshohet se kanë goditur me grushte dhe sende të forta shtetasin K. T., 34 vjeç. Si pasojë e dhunës, 34-vjeçari është transportuar për ndihmë mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet hetimore rezulton se gjatë konfliktit, K. T. dyshohet se ka kanosur me thikë njërin prej të përfshirëve, konkretisht 27-vjeçarin. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një mjet prerës, që dyshohet se është përdorur për kërcënim.
Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik ndaj 51-vjeçarit është gjetur një send multifunksional, i cili është sekuestruar për ekspertim.
Për ngjarjen janë arrestuar në flagrancë të tre personat e përfshirë: babë e bir për plagosje të rëndë me dashje, ndërsa 34-vjeçari edhe për kanosje dhe mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit, ndërsa materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme.
Foto ilustruese
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






