

KOSOVË, 6 janar 2026 – Reshjet e pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa qytete të Kosovës, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit, duke sjellë probleme në qarkullim, infrastrukturë dhe furnizim me ujë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njoftoi se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, lumenjtë dhe përrenjtë kanë dalë nga shtretërit e tyre në zona si Gjakova, Juniku, Deçani, Malisheva, Rahoveci dhe Klina.
Sipas IHMK-së, reshjet me intensitet dhe intervale të ndryshme pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, duke rritur rrezikun për vërshime lokale, probleme në sistemet e kanalizimit dhe vështirësi në trafik. Ndërkohë, lumenjtë kryesorë të vendit, përfshirë Ibrin, Sitnicën, Lepencin dhe Moravën e Binçës, kanë shënuar rritje të lehtë të nivelit të ujit.
Si pasojë e situatës, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka ndërprerë përkohësisht furnizimin me ujë të pijshëm, për shkak të rritjes së nivelit të turbullirës në kanalin Ibër–Lepenc. Sipas njoftimit zyrtar, masa është marrë për të garantuar sigurinë dhe cilësinë e ujit, në përputhje me standardet teknike dhe shëndetësore.
Në rrjetet sociale janë publikuar foto dhe video nga banorë, media lokale dhe zyrtarë komunalë, të cilat dëshmojnë për përmbytjet në disa zona. Kryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku, ka bërë të ditur se ekipet emergjente janë angazhuar në terren që nga mesnata për të menaxhuar situatën.
“Reshjet e natës së mbrëmshme, të cilat po vazhdojnë edhe sot, kanë shkaktuar vërshime në disa zona të komunës, duke krijuar vështirësi për një numër familjesh”, ka shkruar Lushtaku në rrjetet sociale.
Edhe Komuna e Malishevës ka bërë apel për shmangien e lëvizjeve të panevojshme, pasi shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave. Qytetarët janë këshilluar të përdorin rrugë alternative vetëm në rast nevoje.
Njoftime të ngjashme janë publikuar edhe nga disa komuna të tjera, përfshirë Gjakovën dhe Klinën.
Kosova është përballur edhe në vitet e fundit me përmbytje të shpeshta, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale. Ekspertët vlerësojnë se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, përfshirë nxjerrjet e paligjshme të zhavorrit, mbetet një ndër faktorët që kontribuojnë në rritjen e rrezikut nga përmbytjet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






