Transmetuar më 06-01-2026, 10:24

Tiranë/Durrës, 6 janar 2026 – Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej ditës së djeshme kanë sjellë përmbytje në disa zona, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin e mjeteve dhe duke shkaktuar bllokime të akseve rrugore.

Policia e Shtetit u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të devijojnë lëvizjen në zonat ku qarkullimi është i pamundur për shkak të prezencës së lartë të ujit.

Një nga segmentet më problematike mbetet rruga interurbane Tiranë–Durrës, konkretisht zona pranë një karburanti në hyrje të qytetit të Durrësit, ku përmbytja në të dy anët e rrugës e bën të pamundur qarkullimin normal të automjeteve.

Për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore ka vendosur devijimin e qarkullimit si më poshtë:

Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës do të qarkullojnë nga Rruga e Plepave, në drejtim të Ndroqit dhe më pas në aksin “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”.

Për në drejtim të Durrësit, kalimi do të realizohet nga rruga e Universitetit, në drejtim të Spitallës dhe më pas në aksin “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.

Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë në terren.

Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme janë angazhuar për lehtësimin e qarkullimit dhe për ndihmën ndaj qytetarëve. Në rast nevoje emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë numrin pa pagesë 112.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit