

Reshjet e dendura të shiut që kanë nisur gjatë natës kanë shkaktuar probleme serioze në rrugën nacionale Burrel–Skuraj, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve.
Si pasojë e motit të keq, gurë dhe inerte kanë përfunduar mbi asfalt, duke krijuar rrezik për drejtuesit e automjeteve. Rrëshqitje masive janë regjistruar në afërsi të urës së Ulzës, si dhe pranë sektorit C, ndërsa problematika të ngjashme janë konstatuar edhe në segmente të tjera të këtij aksi. Gjatë natës, qarkullimi ka qenë i mundur vetëm në një krah, pasi disa segmente kanë qenë të bllokuara, duke vështirësuar lëvizjen.
Ky segment rrugor mbetet problematik gjatë reshjeve të shiut për shkak të rrëshqitjes së vazhdueshme të gurëve nga shpati i malit. Mungesa e sinjalistikës, e mbrojtëseve anësore dhe gjendja e amortizuar e rrugës me gropa e rritin rrezikun për drejtuesit e automjeteve. Një devijim i vogël mund të ketë pasoja të rënda, duke përfshirë rrezikun e përfundimit të mjetit në Liqenin e Shkopetit.
Situatën e përkeqësojnë edhe vërshimet e ujërave në rrugë dhe në tunelin e Shkopetit, çka e bën qarkullimin edhe më të vështirë.
Aktualisht, firma e mirëmbajtjes rrugore ndodhet në terren dhe po punon për pastrimin e gurëve dhe inerteve nga rruga. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe të ndjekin paralajmërimet në vend.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






