Transmetuar më 06-01-2026, 09:12

Reshjet e dendura të shiut që kanë rënë gjatë natës kanë sjellë problematika në disa zona të qytetit të Lezhës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe mjeteve.

Situata më problematike paraqitet në lagjen “Besëlidhja”, si edhe në disa hyrje shkollash, ku niveli i ujit ka arritur disa centimetra. Si pasojë, janë krijuar shqetësime për banorët e zonës dhe për prindërit e nxënësve, veçanërisht në orët e para të mëngjesit. Deri në këto momente, nuk raportohen dëme materiale.

Autoritetet lokale bëjnë me dije se grumbullimi i ujit është pasojë e reshjeve intensive dhe se kjo problematikë pritet të marrë zgjidhje përfundimtare me përmbylljen e projektit të rehabilitimit të rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, i cili po zbatohet prej disa muajsh në qytetin e Lezhës.

Ndërkohë, Bashkia Lezhë njofton se për shkak të reshjeve të shumta dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, situata në territorin e bashkisë pritet të rëndohet në orët në vijim.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve që, në rast emergjence apo nëse konstatojnë prezencë uji në banesat e tyre, të kontaktojnë menjëherë në numrin e telefonit: 📞 +355 68 367 8727

Bashkia Lezhë bën me dije se ndodhet në gadishmëri të plotë dhe po ndjek nga afër situatën, me qëllim garantimin e ndërhyrjeve të menjëhershme dhe mbështetjes për qytetarët.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit