Transmetuar më 06-01-2026, 08:49

Vlorë – Kushtet e pafavorshme atmosferike dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme serioze në lundrimin e tragetit të linjës Vlorë–Brindisi, duke lënë mbi 800 pasagjerë të bllokuar për disa orë në gjirin e Vlorës.

Sipas raportimeve, trageti nuk ka mundur të nisë drejt Italisë për shkak të motit të keq, ndërsa pasagjerët ndodhen prej rreth gjashtë orësh në det, përballë dallgëve të forta. Situata ka krijuar shqetësim mes udhëtarëve, të cilët shprehen se po përballen me kushte të vështira gjatë pritjes së zgjatur.

Burime nga pasagjerët bëjnë me dije se lëkundjet e forta të mjetit lundrues dhe mungesa e informacionit të qartë mbi nisjen kanë shtuar pasigurinë dhe lodhjen mes tyre.

Deri në këto momente, nuk ka një njoftim zyrtar për orën e nisjes së tragetit drejt Brindisit, ndërsa situata mbetet e lidhur ngushtë me përmirësimin e kushteve të motit.

Autoritetet portuale pritet të japin një përditësim sapo kushtet të lejojnë lundrim të sigurt.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit