Transmetuar më 06-01-2026, 08:09

Reshjet e dendura të shiut dhe prurjet e shtuara nga lumenjtë anësorë kanë rritur nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit, duke detyruar autoritetet të vijojnë shkarkimet e kontrolluara edhe gjatë kësaj të marte.

Sipas burimeve zyrtare, hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës po kryejnë shkarkime për të menaxhuar prurjet e larta, të cilat gjatë ditës së djeshme kanë qenë mbi parashikimet, veçanërisht nga lumi Valbonë dhe prurjet anësore të basenit të Komanit.

Mësohet se shkarkimet në hidrocentralin e Komanit janë në nivelin rreth 500 metra kub ujë në sekondë. Ndërkohë, prodhimi me kapacitet maksimal shton edhe rreth 750 metra kub ujë në sekondë, duke bërë që në total rreth 1250 metra kub ujë në sekondë të derdhen drejt hidrocentralit të Vaut të Dejës.

Burimet theksojnë se situata aktualisht nuk paraqet rrezik, për sa kohë prurjet nuk kalojnë nivelin 1500 metra kub ujë në sekondë.

Nga ana tjetër, hidrocentrali i Fierzës ndodhet në kushte të qëndrueshme, pa prodhim dhe pa shkarkime. Aktualisht, kuota e liqenit të Fierzës është 280 metra nga maksimumi 296 metra, ndërsa prurjet regjistrohen në rreth 600 metra kub ujë në sekondë.

Situata në kaskadën e Drinit po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga strukturat përgjegjëse.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit