

Kosovë, 5 janar 2026
Agjencia Kundër Korrupsionit ka nisur procedurën zyrtare të verifikimit të pasurisë së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, pas konstatimit të dallimeve të theksuara në deklarimin e pasurisë ndërmjet viteve 2024 dhe 2025.
Burime brenda këtij institucioni kanë konfirmuar për VOX Kosova se hetimi administrativ ka filluar pasi janë evidentuar mospërputhje në vlerën dhe përbërjen e pasurisë së deklaruar nga presidentja në formularët zyrtarë të deklarimit për zyrtarët e lartë publikë.
Sipas të njëjtave burime, ndryshimet kanë të bëjnë kryesisht me rritjen e ndjeshme të kursimeve, si dhe me shtimin e shumës së parave të gatshme të deklaruara. Në dokumentet për vitin 2025 vërehen lëvizje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, çka ka shtyrë Agjencinë të ndërmarrë verifikime shtesë, në përputhje me detyrimet ligjore.
Presidentja Osmani, e cila shpesh është përmendur në opinionin publik për standardin e saj të jetesës, rezulton se ka blerë një shtëpi në një zonë luksoze në periferi të Prishtinës.
Sipas të dhënave të deklaruara, ajo zotëron edhe prona të tjera të konsiderueshme jashtë vendit. Në Australi, Osmani dhe bashkëshorti i saj figurojnë si pronarë të disa pasurive të paluajtshme, ku vetëm një shtëpi vlerësohet me mbi gjysmë milioni euro.
Po ashtu, në deklarimin e pasurisë për vitin e kaluar, presidentja ka bërë të ditur se së bashku me bashkëshortin posedojnë një banesë në Prishtinë, si dhe tokë dhe një tjetër shtëpi në Australi.
Agjencia Kundër Korrupsionit pritet të vijojë verifikimet për të sqaruar burimin dhe ligjshmërinë e ndryshimeve të konstatuara në pasuri, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Presidenca e Kosovës./VOX Kosova
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






