Transmetuar më 05-01-2026, 18:19

Dietat pas festave: si të zgjedhim atë të duhurën dhe pse duhet kujdes nga “kurthet” e marketingut

Pas mbylljes së festave dhe teprimeve në tryezë, shumë njerëz ndihen të rënduar jo vetëm fizikisht, por edhe psikologjikisht. Kilogramët e shtuar, mungesa e aktivitetit fizik dhe ndjenja e fajit shpesh çojnë në vendime të nxituara për të nisur dieta strikte që në ditët e para të vitit të ri.

Ekspertët e platformës italiane kundër dezinformimit shëndetësor “Dottore ma è vero che…?”, e menaxhuar nga Federata Kombëtare e Urdhrave të Mjekëve (FNOMCeO), paralajmërojnë se ky është pikërisht momenti kur shumë kompani shfrytëzojnë dobësinë emocionale të njerëzve për përfitime financiare.

Ndjenja e fajit pas festave, terren për mashtrime

Sipas mjekëve që evidenton Adnkronos të cilën citon noa.al, ndjenja e fajit pas ngrënies së tepërt është një gjendje psikologjike e zakonshme, e cila shpesh shoqërohet me premtime si: “Do humbas 3 kilogramë brenda janarit”, “Do heq dorë nga karbohidratet” apo “Do nis vrapin çdo javë”.

Këto emocione, theksojnë specialistët, shfrytëzohen nga industria e dietave dhe mirëqenies, e cila në këtë periudhë promovon agresivisht idenë “vit i ri, trup i ri”, shpesh pa pasur në fokus shëndetin real të individit.

Kur dieta mund të jetë gabim

Ekspertët nënvizojnë se vendimi për të nisur një dietë nuk duhet të merret bazuar në reklama apo këshilla të përgjithshme në rrjete sociale. Në disa raste, dieta të caktuara mund të jenë të papërshtatshme ose edhe të rrezikshme, veçanërisht për persona që marrin medikamente ose kanë probleme shëndetësore.

Po ashtu, dieta shumë kufizuese mund të favorizojnë zhvillimin e çrregullimeve mendore, veçanërisht tek individët më të ndjeshëm.

Kujdes nga “fake news” ushqimore

Mjekët theksojnë se jo çdo dietë e reklamuar mbështetet në prova shkencore. Edhe dieta mesdhetare, e njohur për përfitimet e saj shëndetësore, shpesh përdoret në marketing për produkte që nuk kanë lidhje reale me këtë model ushqimi.

Si të mbrohemi nga presioni i dietave të shpejta

Specialistët këshillojnë:

Të shmangen përmbajtjet që krijojnë ndjesi turpi apo presioni për trupin

Të ndiqen burime serioze dhe gjithëpërfshirëse për shëndetin

Të kërkohet mbështetje nga mjekë, dietologë ose profesionistë të shëndetit mendor

Të fokusohemi te vlerat personale dhe mirëqenia afatgjatë, jo te rezultatet e shpejta

Nuk ekziston “dieta perfekte”

Studime të shumta tregojnë se ushqyerja e shëndetshme lidhet me uljen e rrezikut për sëmundje kronike dhe rritjen e jetëgjatësisë. Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ekziston një dietë ideale për të gjithë.

Modele të ndryshme ushqimore – mesdhetare, vegane, me pak yndyrë apo me pak karbohidrate – mund të jenë të dobishme, por efektet e tyre shpesh janë të ngjashme. Pretendimet për epërsi absolute të një diete ndaj të tjerave konsiderohen të ekzagjeruara dhe shpesh të lidhura me interesa ekonomike.

Përfundimi i mjekëve është i qartë: çdo dietë duhet të zgjidhet në bashkëpunim me mjekun ose një specialist të ushqyerjes, duke pasur parasysh shëndetin, stilin e jetesës dhe nevojat individuale, jo premtimet e shpejta të reklamave. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit