

VLORË – Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka zhvilluar sot një inspektim në Pyllin e Sodës, në qytetin e Vlorës, pas shqetësimeve të ngritura prej javësh nga qytetarët për prerje pemësh dhe ndërhyrje të dyshimta në territor.
Burime pranë KLSH bëjnë me dije se inspektorët kanë kryer verifikime në terren, duke kontrolluar gjendjen aktuale të pyllit, si dhe dokumentacionin shoqërues të ndërhyrjeve të realizuara në këtë zonë.
Sipas informacioneve, fokusi i kontrollit është përcaktimi nëse ndërhyrjet kanë qenë të kufizuara vetëm në rehabilitim dhe pastrim, apo nëse janë kryer prerje të pemëve të reja, gjë që do të përbënte një shkelje të rëndë ligjore dhe mjedisore.
Inspektimet pritet të vijojnë në të gjithë sipërfaqen e Pyllit të Sodës, me qëllim dokumentimin e plotë të situatës. Në përfundim të procesit, KLSH pritet të publikojë një raport të detajuar, ku do të pasqyrohen gjetjet, përgjegjësitë dhe dëmet e mundshme të shkaktuara.
Ky nuk është rasti i parë që Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtron kontrolle në këtë zonë, çka tregon se Pylli i Sodës ka qenë edhe më herët nën vëzhgim, për shkak të ndërhyrjeve të diskutueshme në territor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






