

TIRANË – Pas festimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, muaji janar ka nisur me një rritje të ndjeshme të rasteve të gripit dhe virozave në popullatë.
Sipas mjekëve, situata është e pritshme për këtë periudhë të vitit, si pasojë e grumbullimeve gjatë festave, lëvizjeve brenda dhe jashtë vendit, si edhe uljes së temperaturave. Ditët e para të vitit 2026 kanë shënuar shtim të infektimeve kryesisht nga gripi i stinës, por edhe nga viroza të tjera që janë aktualisht në qarkullim.
Të dhënat nga Urgjenca Kombëtare tregojnë se moshat 4 deri në 14 vjeç janë më të prekura gjatë kësaj periudhe, kryesisht nga nënvarianti AH3N2.
Mjeku Skënder Brataj, kreu i Urgjencës Kombëtare, shprehet se gripi i këtij sezoni karakterizohet nga temperaturë e lartë dhe rezistencë e shtuar, por thekson se në shumicën e rasteve situata menaxhohet në kushte shtëpie.
Ai këshillon prindërit dhe qytetarët që të mos alarmohen dhe të shmangin dyndjet drejt spitaleve, nëse nuk shfaqen shenja serioze apo shqetësuese.
Sipas specialistëve, si çdo vit, kulmi i gripit pritet në fund të janarit dhe fillim të shkurtit. Krahas nënvarianteve AH3N2 dhe AH1N1, në qarkullim vijojnë të jenë edhe virusi sincicial respirator, që prek kryesisht fëmijët e vegjël, Covid-19, si dhe viroza të tjera sezonale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






