Transmetuar më 05-01-2026, 15:27

Tiranë – Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është ekstraduar nga Greqia drejt Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit mes autoriteteve shqiptare dhe atyre greke.

Bëhet fjalë për Ardit Miha, 32 vjeç, i lindur në Bulqizë, i cili u ekstradua pas koordinimit të veprimeve operacionale mes Interpol Tirana dhe homologëve të tij në Athinë, në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.

Sipas njoftimit zyrtar, 32-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Durrësit, në vitin 2024, i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur mbrëmjen e datës 6 tetor 2022, në lagjen nr. 13, zona e njohur si “Plazh”, në qytetin e Durrësit. Sipas hetimeve, për motive të dobëta, shtetasi Ardit Miha ka goditur disa herë me mjet prerës (thikë) shtetasin Behar F., gjatë një konflikti.

Atëherë policia Durrës njoftonte se "në lagjen nr. 13 Durrës, gjatë një konflikti të çastit është goditur me mjet prerës (thikë) nga një person ende i paidentifikuar, shtetasi B. F., 50 vjeç, i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve".

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Pas përfundimit të procedurave ligjore në Greqi, autoritetet greke kanë dorëzuar 32-vjeçarin tek autoritetet shqiptare, ku ai do të përballet me drejtësinë për akuzat e ngritura ndaj tij. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit