

Bruksel – Në Belgjikë nis sot procesi gjyqësor për vrasjen e shtetasit shqiptar Ardit Spahiu, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit 2020 në Molenbeek-Saint-Jean. Para drejtësisë dalin Franc Gergely, i njohur edhe si Franc Çopja, dhe Mikael Qosja, të dy të dyshuar si pjesë e një rrjeti kriminal shqiptar të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Sipas autoriteteve belge, Ardit Spahiu, 38 vjeç, u vra më 27 nëntor 2020 në rrugën Condor, ku ndaj tij u hap zjarr nga një person i armatosur dhe i maskuar. Në vendngjarje u gjetën 17 gëzhoja, ndërsa viktima u godit nga nëntë plumba. Mjekësia ligjore konstatoi se ai dyshohet se u qëllua përfundimisht pasi ishte rrëzuar në trotuar. Dyshime për përplasje mes klaneve
Sipas mediave belge, Spahiu dyshohej se ishte i përfshirë në trafik narkotikësh përmes një grupi të njohur si klani Alibej, i konsideruar rival me rrjetin e drejtuar nga Franc Gergely. Familjarë dhe burime hetimore kanë deklaruar se konflikti mes grupeve dyshohet të ketë zgjatur prej vitesh dhe të ketë sjellë disa episode të dhunshme, përfshirë atentate në Shqipëri.
Motivet e konfliktit mbeten të paqarta dhe ndryshojnë sipas dëshmive, duke përfshirë rivalitetin për kontrollin e tregjeve kriminale, humbjen e një sasie të konsiderueshme droge, mosmarrëveshje financiare apo përplasje personale.
Roli i SKY ECC në hetim
Hetimi qëndroi i bllokuar për një periudhë të gjatë, deri në deshifrimin e platformës së komunikimit të koduar SKY ECC, e përdorur nga rrjete kriminale në disa vende europiane. Autoritetet belge bëjnë me dije se nga analizimi i këtyre komunikimeve dolën prova që lidhen me planifikimin e vrasjes së Spahiut.
Veçanërisht, mesazhet e shkëmbyera mes Franc Gergelyt dhe personave të tjerë të përfshirë në çështje, disa prej të cilëve vijojnë të jenë në kërkim, konsiderohen elementë kyç në dosjen e akuzës.
Franc Gergely u arrestua në shtator 2023 në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe u ekstradua drejt Belgjikës në dhjetor të po atij viti, një rast i konsideruar precedent në bashkëpunimin gjyqësor mes dy vendeve.
Me nisjen e procesit, juria e përzgjedhur pritet të shqyrtojë provat dhe të vendosë mbi përgjegjësinë penale të të pandehurve për një nga çështjet më të bujshme të krimit të organizuar shqiptar në Belgjikë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






