Transmetuar më 05-01-2026, 13:59

Tiranë, 5 Janar 2026

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka refuzuar këtë të hënë kërkesën e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Vendimi i gjykatës lë në fuqi masën e vendosur më herët, duke bërë që ish-presidenti i Republikës të vijojë qëndrimin në qeli. Kërkesa e Metës ishte paraqitur në kuadër të rishikimit të masave të sigurisë, por trupa gjykuese e konsideroi të pabazuar për ndryshim.

Ilir Meta ndodhet nën hetim nga autoritetet e drejtësisë, ndërsa çështja e tij po ndiqet me vëmendje të lartë në skenën politike dhe publike të vendit. Vendimi i sotëm i GJKKO-s pritet të pasohet nga reagime politike dhe ligjore nga mbrojtja e tij në ditët në vijim.

Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha në deklaratë për mediat se Meta nuk mund të lërë dot garanci pasurore për të dalë nga qelia sepse, sipas tij “nuk disponon pasuri”.

Cakrani shtoi se ka qenë vetë i gatshëm që të ofrojë nga pronat e tij në mënyrë që të përmbushet ky kriter.

“Nuk mund të mbahet Meta në paraburgim. Ai paraqitet në çdo seancë dhe shkaqet për zvarritje janë të gjykatës. Zvarritja e procesit gjyqësor duhet të shikohet nga prokuroria dhe gjykata. Besoj te gjykata, menduam që do nisej viti mbarë duke dhënë një të drejtë ligjore te vijonte gjykimi në gjendje të lirë.

Meta nuk i beson këto zëvendësimet. Nuk kishte asnjë bazë ligjore se përse duhej rrëzuar kërkesa. Kemi bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të burgjeve. Jemi në betejë dhe këtë betejë do e fitojmë“-u shpreh avokati.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit