Transmetuar më 05-01-2026, 13:09

Tiranë, 5 janar 2026 – Një shtetas shqiptar i dënuar me 32 vite burg për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar pritet të transferohet në Shqipëri në kuadër të marrëveshjes dypalëshe për riatdhesimin e të burgosurve.

Bëhet fjalë për Eugert Merizajn, i cili në maj të vitit 2022 u shpall fajtor për përfshirje në vrasjen me armë zjarri të Hemawand Ali Hussein, një tregtar droge rival. Merizaj ndodhet aktualisht në burgun HMP Manchester (Strangeways).

Sipas mediave britanike, Merizaj ka tërhequr vëmendje për aktivitetin e tij në rrjetet sociale, ku prej vitit 2023 ka publikuar video në TikTok nga qelia e tij, në kundërshtim me rregullat e burgut. Në disa prej tyre, ai ka deklaruar se ka aplikuar për t’u transferuar në Shqipëri, me arsyetimin kryesor dëshirën për t’u afruar me familjen.

Transferimi i tij bëhet në kuadër të marrëveshjes së vitit 2023 mes Britanisë së Madhe dhe Shqipërisë, sipas së cilës Londra do të paguajë rreth 4 milionë paund në vit për riatdhesimin e rreth 200 të burgosurve shqiptarë të dënuar për vepra të rënda penale. Megjithatë, zbatimi i skemës ka hasur vonesa, ndërsa deri më tani janë transferuar vetëm pak persona.

Më 11 nëntor, Gjykata e Fierit pranoi kërkesën e Merizajt dhe njohu vendimin penal të dhënë nga autoritetet britanike, duke hapur rrugën për transferimin e tij në një institucion të sigurisë së lartë në Shqipëri, konkretisht në burgun e Peqinit.

Autoritetet britanike kanë theksuar se mbajtja e të burgosurve të dhunshëm ka kosto të lartë financiare dhe rrezik për sigurinë në burgje. Ndërkohë, disa të dënuar shqiptarë për vrasje mbeten ende në institucionet penitenciare të Mbretërisë së Bashkuar, në pritje të zbatimit të plotë të marrëveshjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit