Transmetuar më 05-01-2026, 12:25

Defekti i rëndë në tubacionin kryesor të ujësjellësit, me diametër 1000 milimetra, i cili la qytetin e Vlorës pa furnizim me ujë të pijshëm për pesë ditë radhazi, ka vënë në lëvizje institucionet ligjzbatuese. Ngjarja preku mijëra familje, biznese dhe institucione publike, duke shkaktuar shqetësim të gjerë në një qytet turistik dhe qendër urbane si Vlora.

Sipas burimeve zyrtare, Policia ka nisur veprimet e para procedurale, duke sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të një subjekti privat në afërsi të zonës ku ndodhi defekti. Pamjet do t’i referohen Prokurorisë për të dokumentuar me saktësi momentin dhe rrethanat në të cilat është dëmtuar tubacioni.

Burime nga Policia dhe Prokuroria bëjnë me dije se çështja pritet të regjistrohet zyrtarisht për hetim. Hetimet nuk do të përqendrohen vetëm te shkaku teknik i dëmtimit, por edhe te mënyra e menaxhimit të rrjetit të ujësjellësit, si dhe përgjegjësitë institucionale për mirëmbajtjen dhe funksionimin e tij.

Autoritetet do të verifikojnë nëse defekti ka ardhur si pasojë e amortizimit të tubacionit, mungesës së investimeve, neglizhencës në mirëmbajtje apo faktorëve të tjerë që mund të kenë ndikuar drejtpërdrejt në krijimin e kësaj situate.

Ndërprerja e zgjatur e furnizimit me ujë ka sjellë reagime të forta nga qytetarët, të cilët janë përballur me vështirësi serioze në jetën e përditshme, si dhe nga bizneset që kanë pësuar humbje.

Autoritetet pritet të hedhin dritë mbi shkaqet reale të defektit dhe të përcaktojnë përgjegjësit konkretë për këtë situatë, e cila ka nxjerrë në pah problematikat e infrastrukturës së ujësjellësit në qytetin e Vlorës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit