

Presidenti amerikan Donald Trump duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One të dielën në mbrëmje, ka deklaruar se SHBA-të janë “në krye” të Venezuelës pas arrestimit të Presidentit Nicolás Maduro.
Ndër të tjera ai nënvizoi se SHBA-të ishin përgatitur për veprime të mëtejshme ushtarake në Venezuelë, por deri më tani nuk kishin qenë të nevojshme, duke shtuar se kjo mund të ndryshojë “nëse nuk sillen siç duhet”.
Gjatë kësaj interviste Trump gjithashtu paralajmëroi homologun e tij , Gustavo Petro, se do të dërgonte "një mision amerikan" në vendin e tij të ngjashëm me atë që sulmoi disa zona të Venezuelës dhe çoi në kapjen e Presidentit Venezuelian Nicolás Maduro.
"Kolumbia qeveriset nga një njeri i sëmurë dhe ai nuk do të jetë për shumë gjatë”, tha Trump.
Presidenti kolumbian Gustavo Petro hodhi poshtë të dielën kërcënimet dhe akuzat e homologut të tij amerikan Donald Trump, i cili vazhdon ta akuzojë atë për trafik droge.
“Emri im nuk shfaqet në dosjet gjyqësore për trafik droge. Ndaloni së shpifuri për mua, Trump”, shkroi presidenti kolumbian nëpërmjet X.
Presidenti socialdemokrat kolumbian ka kritikuar ashpër operacionin ushtarak në Venezuelë të urdhëruar nga administrata Trump. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara për kryerjen e një rrëmbimi “të pajustifikuar” të homologut të tij venezuelian, Nicolas Maduro.
Presidenti venezuelian u kap nga forcat speciale amerikane në Karakas pas një serie bombardimesh.
Pasi i tha Petros pardje se do të bënte mirë të “ruante veten”, Trump dje e përshkroi homologun e tij kolumbian si “të sëmurë” që i pëlqen të “marrë kokainë” dhe “ta shesë atë në Shtetet e Bashkuara”.
Ministria e Jashtme e Kolumbisë i përshkroi kërcënimet e presidentit amerikan si “ndërhyrje të papranueshme” në punët e brendshme të vendit dhe kërkoi “respekt”.
Që kur filloi mandati i dytë i Trump në janar 2025, të dy udhëheqësit kanë qëlluar vazhdimisht ndaj njëri-tjetrit për politikën e imigracionit, tarifat, trafikun e drogës…
Marrëdhënia midis dy vendeve, historikisht partnerë kyç në një nivel ushtarak dhe ekonomik në rajon, tani është në nivelin më të ulët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






