

Kopenhagë, 4 janar 2026
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, i ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë presidentit amerikan Donald Trump që të ndalë retorikën dhe kërcënimet lidhur me marrjen nën kontroll të Groenlandës, duke theksuar se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë të drejtë ta aneksojnë këtë territor.
“Nuk ka absolutisht asnjë kuptim të flitet për nevojën që SHBA të marrë nën kontroll Groenlandën. SHBA nuk ka të drejtë të aneksojë asnjë nga tre kombet e Mbretërisë Daneze”, deklaroi Frederiksen.
Reagimi i saj vjen pas një postimi provokues në rrjetet sociale nga Katie Miller, bashkëshortja e Stephen Miller, një prej këshilltarëve të afërt të Trumpit, e cila publikoi një hartë të Groenlandës të ngjyrosur me ngjyrat e flamurit amerikan, shoqëruar me fjalën “së shpejti”.
Donald Trump e ka ngritur disa herë idenë e aneksimit të Groenlandës nga SHBA, duke përmendur pozicionin strategjik të ishullit në Arktik dhe pasuritë e mëdha minerare.
Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të qeverisë daneze, Frederiksen tha se po i drejtohej Uashingtonit “shumë drejtpërdrejt”, shkruan BBC. Ajo theksoi se Danimarka, dhe rrjedhimisht edhe Groenlanda, janë pjesë e NATO-s dhe të mbuluara nga garancia e sigurisë së aleancës.
Sipas saj, ekziston tashmë një marrëveshje mbrojtjeje mes Danimarkës dhe SHBA që i jep Uashingtonit akses në Groenlandë, ndërsa Kopenhaga ka rritur investimet në sigurinë e rajonit Arktik.
“U bëj thirrje fuqishëm Shteteve të Bashkuara të ndalojnë kërcënimet ndaj një aleati historikisht të afërt dhe ndaj një vendi dhe një populli që e kanë bërë shumë të qartë se nuk janë në shitje”, tha kryeministrja daneze.
Edhe ambasadori i Danimarkës në SHBA reagoi ndaj postimit të Miller, duke rikujtuar se dy vendet janë aleate dhe se Kopenhaga pret respekt për integritetin territorial të saj.
Groenlanda, me rreth 57 mijë banorë, gëzon vetëqeverisje të gjerë që prej vitit 1979, megjithëse mbrojtja dhe politika e jashtme mbeten nën përgjegjësinë e Danimarkës. Ndërkohë, edhe pse shumica e groenlandezëve mbështesin pavarësinë e ardhshme nga Kopenhaga, sondazhet tregojnë kundërshtim të fortë ndaj çdo ideje për t’u bërë pjesë e Shteteve të Bashkuara.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






