

Zvicër, 4 janar 2026
Autoritetet zvicerane kanë identifikuar të 40 viktimat e zjarrit tragjik që shpërtheu në një bar në resortin e skive Crans-Montana, duke tronditur opinionin publik brenda dhe jashtë vendit. Viktimat ishin të moshave nga 14 deri në 39 vjeç, ndërsa 15 prej tyre ishin nën moshën 18 vjeç.
Më të rinjtë mes viktimave ishin një vajzë zvicerane dhe një djalë francez, të dy vetëm 14 vjeç. Sipas BBC, viktimat përfshijnë shtetas zviceranë, italianë, rumunë, turq, portugezë, francezë dhe belgë, si edhe nga Mbretëria e Bashkuar dhe Izraeli.
Mes viktimave ishte edhe 16-vjeçari zviceran Arthur Brodard. Nëna e tij konfirmoi vdekjen e djalit përmes një postimi prekës në rrjetet sociale, ku shkroi se ai “është larguar për të festuar në parajsë”, duke shtuar se familja tani mund të nisë procesin e zisë, “duke e ditur se ai është në paqe”.
Ndërsa Arthuri konsiderohej ende i zhdukur, nëna e tij kishte deklaruar për gazetën lokale Le Temps se kishte përjetuar një makth të vërtetë, duke treguar se disa nga miqtë e tij ishin gjetur rëndë të lënduar. “Nuk ka fjalë, ata kaluan nëpër ferr”, është shprehur ajo.
Policia zvicerane ka njoftuar se nuk do të publikojë detaje të tjera për identitetin e viktimave, në shenjë respekti për familjarët. Ndërkohë, një hetim penal është hapur ndaj personave që administronin barin “Le Constellation”.
Sipas hetimeve paraprake, shkaku i mundshëm i zjarrit dyshohet të ketë qenë përdorimi i fishekzjarrëve ose xixëllonjave festive në ambiente të brendshme, shumë pranë tavanit, gjatë festimeve të Vitit të Ri. Zjarri, përveç 40 viktimave, la të plagosur edhe 119 persona.
Shumë nga viktimat dhe të lënduarit ishin adoleshentë, pasi lokali ishte veçanërisht i frekuentuar nga të rinjtë. Në Zvicër, mosha ligjore për konsumimin e alkoolit është 16 vjeç. Autoritetet kanë shpallur datën 9 janar ditë zie kombëtare, në nderim të viktimave të kësaj tragjedie të rëndë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





