Transmetuar më 04-01-2026, 14:46

Tensione dhe përplasje janë shënuar pasditen e sotme para Kryeministrisë, gjatë tubimit të organizuar nga Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, ku protestuesit u përballën me efektivët e Policisë së Shtetit.

Situata u përshkallëzua në momentin kur një pjesë e protestuesve tentuan të çajnë kordonin policor, duke akuzuar efektivët se po i fotografonin dhe filmonin nga afër. Kjo solli reagime të forta nga turma dhe përplasje fizike me policinë, ndërsa forcat e rendit ndërhynë për të mbajtur distancën dhe për të shpërndarë protestuesit.

“Pse po na bëni foto?”, dëgjohej të thërrisnin protestuesit, të cilët pretendonin se persona të veshur civil, të dyshuar si punonjës policie, ndodheshin mes turmës dhe po dokumentonin fytyrat e tyre për qëllime ndëshkuese pas përfundimit të tubimit.

Në kulmin e tensioneve, kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, reagoi ashpër duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe shpërdorim të taksave të qytetarëve. Ai deklaroi se protesta përfaqëson ditën e 28-të të qëndresës qytetare, ndërsa theksoi se protestuesit janë lënë pa ndihmë, edhe në raste emergjente.

“Regjimi i Ramës nuk ka dërguar asnjë ambulancë. Për ta, ne nuk duhet të ekzistojmë”, u shpreh Lapaj, duke kërkuar që policia të mos prekte asnjë protestues dhe duke thënë: “Më arrestoni mua, jo qytetarët”.

Ndërkohë, sipas pamjeve foto dhe video të siguruara nga noa.al, kryeministri Edi Rama është larguar nga zyra e tij në Kryeministri në momentet kur protesta po tensionohej. Rama shihet teksa shkon drejt zonës së njohur si Vila 31, ndërsa jashtë situata po përshkallëzohej në përplasje me policinë.

Gjatë fjalës së tij, Lapaj bëri edhe paralelizma me zhvillimet ndërkombëtare, duke përmendur arrestimin e presidentit venezuelian Maduro dhe duke e cilësuar atë si rënie të një diktatori, ndërsa akuzoi Ramën si një autokrat që duhet të japë dorëheqjen.

Prej javësh, Adriatik Lapaj ka qëndruar 24 orë në ditë para Kryeministrisë në një akt simbolik proteste, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama dhe duke e cilësuar tubimin si një përballje të drejtpërdrejtë me korrupsionin dhe qeverisjen aktuale.

VIDEO: Rama ikën nga zyra

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit