

Pas operacionit ushtarak në Karakas që përfundoi me kapjen e Presidentit Nicolas Maduro dhe gruas së tij, Cilia Flores, këtë të shtunë, Trump mbajti një konferencë për shtyp ku pohoi: “Ne e ndërtuam industrinë e naftës venezueliane me talentin, vullnetin dhe aftësitë amerikane dhe regjimi socialist na e vodhi atë”.
“Kjo ishte një nga vjedhjet më të mëdha të pronës amerikane në historinë e vendit tonë", shtoi ai.
Trump, i cili pohoi se SHBA-të do të “qeverisin” Venezuelën derisa “të mund të ndodhë një tranzicion i sigurt”, tha: “Ne do të bëjmë që kompanitë tona gjigante amerikane të naftës (…) të shpenzojnë miliarda dollarë, të riparojnë infrastrukturën e naftës të përkeqësuar keq dhe të fillojnë të gjenerojnë të ardhura për vendin”.
Kjo konfirmon se sa rëndësi i kushton presidenti amerikan burimeve të mëdha të naftës të Venezuelës, të cilat morën më shumë peshë në retorikën e Uashingtonit në javët që çuan në përshkallëzimin e që rezultoi në kapjen e Maduros.
Deri atëherë, Uashingtoni e kishte justifikuar fushatën e presionit kundër Maduros me akuzat se ai drejton një rrjet “narko-terrorist” të quajtur Karteli i Diejve, diçka që presidenti venezuelian e mohon.
Megjithatë, Trump kohët e fundit kishte njoftuar një “bllokim total të cisternave të naftës të sanksionuara” që hynin dhe dilnin nga Venezuela.
“Venezuela të na kthejë të gjithë naftën, tokën dhe asetet e tjera që na kanë vjedhur më parë", tha Trump.
Pra, për çfarë po flet Trump? Çfarë thotë historia për rolin e Shteteve të Bashkuara në zhvillimin e industrisë së naftës venezueliane? A ka ndonjë bazë për këtë kërkesë?
BBC Mundo foli me specialistë në historinë e naftës venezueliane në kërkim të përgjigjeve.
Shtetet e Bashkuara dhe nisja e industrisë së naftës në Venezuelë
Venezuela e cila zotëron rezervat më të mëdha të naftës bruto në botë, filloi të zhvillonte industrinë e naftës në një shkallë të gjerë në vitet 1920, nën qeverinë e Gjeneralit Juan Vicente Gomez.
Këto ishin vitet e asaj që në Venezuelë njihet si "El Reventón" (Shpërthimi), fillimi i shfrytëzimit masiv të një lënde të parë që do të shënonte historinë e vendit dhe nga e cila ekonomia botërore u bë gjithnjë e më e varur.
Fillimisht të përqendruara në zonën e Liqenit Maracaibo, në Venezuelën perëndimore, kompanitë amerikane shpejt fituan një rol udhëheqës në industrinë e sapolindur dhe fitimprurëse të naftës, duke zëvendësuar britanikët dhe holandezët që e kishin zhvilluar atë në fazat e saj të hershme.
Qeveria e Juan Vicente Gómez zbatoi një sistem koncesionesh që tërhiqte kompanitë amerikane, të cilat mund të nxirrnin dhe tregtonin naftë bruto venezueliane në këmbim të një tarife të caktuar fillimisht në 7%.
“Shteti ua dha koncesionet elitës lokale, por ata ua shitën të huajve sepse venezuelianëve u mungonin burimet dhe makineritë për t’i shfrytëzuar”, shpjegon Miguel Tinker Salas, historian dhe autor i librit "Një Trashëgimi që Qëndron: Nafta, Kultura dhe Shoqëria në Venezuelë".
Gjatë atyre viteve, familja amerikane Rockefeller mori kontrollin e biznesit të naftës venezueliane përmes kompanisë Standard Oil Company dhe degës që krijoi në Venezuelë, Creole Petroleum Company.
“Ata përfituan nga kontrata që u kritikuan rëndë sepse u konsideruan shumë të favorshme për kompanitë", thotë Francisco Monaldi, drejtor i Programit të Energjisë së Amerikës Latine në Institutin Baker në Shtetet e Bashkuara.
Sipas Tinker Salas, "Juan Vicente Gomez kërkoi të balanconte praninë e amerikanëve, britanikëve dhe holandezëve në mënyrë që askush të mos kishte monopol”. Aktiviteti i parë amerikan shkaktoi atë që eksperti e përshkruan si "një katastrofë të jashtëzakonshme ekologjike".
"Evropianët kishin shfrytëzuar brigjet e liqenit Maracaibo, por amerikanët filluan të instalonin platforma për të nxjerrë naftën bruto nën ujë. Në fillim, i mbështetën ato në shtylla druri që shpesh gërryheshin nga uji, duke shkaktuar shembjen e puseve dhe derdhjen e naftës bruto në liqen. Kjo ndikoi shumë te komunitetet që jetonin në brigje dhe vareshin nga uji i liqenit. Nuk pati kurrë ndonjë dëmshpërblim apo kompensim."
Në vitin 1943, Venezuela u sundua nga një tjetër ushtarak, Isaías Medina Angarita.
"E presionuar nga sektori i Ushtrisë që kërkonte përparim dhe klasa e mesme në zhvillim, Medina Angarita donte të përdorte burimet e naftës për të modernizuar vendin", shpjegon Tinker Salas.
Në një kontekst të shënjuar nga Lufta e Dytë Botërore, e cila i kishte dhënë Venezuelës një vlerë të lartë strategjike për shkak të rezervave të bollshme të naftës bruto, Presidenti Medina Angarita promovoi një Ligj për Hidrokarburet që do të ndryshonte rregullat e lojës.
Shteti rezervoi një pjesë prej 50% të fitimeve nga biznesi i naftës, dhe honorari që kompanitë e huaja duhej të paguanin u rrit në 16%.
Për më tepër, kontratat e koncesionit u kufizuan në 40 vjet, dhe kompanitë përfituese ishin të detyruara të ndërtonin rafineri në vend për të zhvilluar industrinë kombëtare.
Megjithatë, masat e Medina Angarita u pritën mirë në Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin gjetur në Venezuelë një furnizues të besueshëm karburanti gjatë një kohe kritike si lufta.
"U bë nëpërmjet negociatave; nuk kishte imponim nga Shteti, dhe kompanitë amerikane e panë si diçka të favorshme, sepse kujtonin shtetëzimin e naftës në Meksikë në vitin 1938 dhe donin të shmangnin një shtetëzimi tjetër me çdo kusht", thotë Tinker Salas.
Shtetëzimi i Carlos Andrés Pérez
Bota ishte shumë ndryshe kur Carlos Andrés Pérez erdhi në pushtet në vitin 1974 me premtimin e shtetëzimit të naftës.
Qeveritë e vendeve prodhuese të naftës ishin bërë gjithnjë e më të vetëdijshme për fuqinë e madhe dhe burimet e gjera që do t’u jepte atyre kontrollin e një burimi, nga i cili ekonomitë e zhvilluara ishin bërë plotësisht të varura, siç u bë e qartë nga embargoja e naftës që disa vende arabe i vendosën Shteteve të Bashkuara në vitin 1973 për mbështetjen e tyre ndaj Izraelit.
Venezuela ishte tashmë eksportuesi më i madh i naftës bruto në botë dhe kishte qenë një nga forcat lëvizëse pas krijimit, disa vite më parë, të Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC).
Kur Pérez dekretoi shtetëzimin dhe krijimin e kompanisë shtetërore të naftës Petróleos de Venezuela (PDVSA) në vitin 1975, nuk kishte konflikt me Exxon dhe kompanitë e tjera amerikane që operonin në vend.
“Atyre u kishin mbetur edhe pak vite nga koncesionet dhe qeveria i kompensoi në mënyrë të arsyeshme për të ardhurat e prodhimit që nuk do të merrnin”
Kjo shpjegon edhe marrëdhënien e mirë që Carlos Andrés Pérez kishte me Shtetet e Bashkuara.
Me të ardhurat nga nafta, çmimi i së cilës ishte rritur ndjeshëm, filloi epoka e njohur si "Venezuela Saudite", një proces modernizimi dhe zhvillimi në të cilin vendi u mësua me konsumin masiv dhe infrastrukturën e përparuar, por kjo nuk korrigjoi probleme të tilla si pabarazia apo niveli i lartë i borxhit.

Dhe çfarë ndodhi me kompanitë amerikane?
Sipas Monaldi-t, "ato vazhduan të kishin qasje në naftën venezueliane dhe në kontrata ndihmëse me PDVSA-në, kështu që vazhduan të fitonin shumë para në Venezuelë".
Konflikti me Hugo Chávez
Historia do të ndryshonte me ardhjen në pushtet në vitin 1999 të kolonel Hugo Chávez, i cili shpejt u përplas me udhëheqjen e PDVSA-s, e cila në vitin 2002 nxiti një grevë që paralizoi sektorin e naftës.
Tinker Salar shpjegon se "PDVSA kishte krijuar një lloj shteti brenda shtetit, në të cilin menaxherët e saj e shihnin veten si ekspertë, si meritokraci dhe nuk donin që qeveria të prishte menaxhimin e naftës".
Por Chávez spastroi pjesën më të madhe të stafit të kompanisë shtetërore të naftës, duke e mbushur atë me besnikë të "Revolucionit të tij Bolivarian" dhe kërkoi atë, që ai e përshkroi si një "rinacionalizim" të naftës.
Që nga viti 2004, me çmimet e naftës bruto në rritje, presidenti detyroi një rinegocim të kontratave me PDVSA-n, e cila deri atëherë kishte qenë një biznes fitimprurës për kompanitë ndërkombëtare të naftës.
Duke filluar nga viti 2001, ligji i dha PDVSA-së shumicën e aksioneve në të gjitha projektet dhe rriti ndjeshëm taksat që kompanitë e huaja duhej të paguanin.
Me të ardhurat e fituara, Chavez ishte në gjendje të financonte programet e tij të gjera sociale dhe një politikë të jashtme agresive që i lejoi atij të pozicionohej si një alternativë ndaj hegjemonisë amerikane në Amerikën Latine.
Kompanitë amerikane ExxonMobil, ConocoPhillips dhe Chevron ishin kompanitë kryesore amerikane të prekura dhe miratuan strategji të ndryshme.
Chevron pranoi të qëndronte në Venezuelë sipas kushteve të reja dhe vazhdon të prodhojë naftë në vend.
ExxonMobil dhe ConocoPhillips refuzuan dhe u larguan nga Venezuela pa pranuar kompensimin e ofruar për shpronësimin e aseteve të tyre.
ExxonMobil paraqiti kërkesë për arbitrazh në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID) të Bankës Botërore, e cila vendosi se ajo kishte të drejtë për afërsisht 1.6 miliardë dollarë amerikanë kompensim.
Meqenëse kjo shifër ishte shumë më e ulët se pretendimet e saj fillestare, fitorja e ExxonMobil ndaj shtetit Venezuelan u përshkrua në shtyp në atë kohë si "e zbrazët".
ConocoPhillips gjithashtu fitoi çështjen e saj në ICSID dhe iu dha një kompensim shumë më i madh, pasi vendimi arriti në përfundimin se shpronësimi i aseteve të saj ishte i paligjshëm dhe se shteti Venezuelan nuk kishte vepruar me mirëbesim në negocimin e kompensimit.
Por dy dekada më vonë, ConocoPhillips ende po përpiqet të marrë më shumë se 10 miliardë dollarë amerikanë që Republika e Venezuelës i detyrohet.
Aktualisht, është një nga kreditorët e parë në listën e pritjes që do të paguhet kur asetet e Citgo, degës amerikane të PDVSA-së, të dalin në ankand. Citgo është përfshirë në një betejë të gjatë dhe ende të pazgjidhur ligjore.
Atëherë a idetyrohet Venezuela naftë Shteteve të Bashkuara?
Në realitet, Venezuela Chaviste dështoi në vitin 2017 dhe ka grumbulluar një borxh të papaguar që aktualisht vlerësohet në 150 miliardë dollarë amerikanë.
Kjo shifër përfshin obligacione sovrane dhe PDVSA të papaguara, por edhe kredi të papaguara për fuqi mike si Kina dhe Rusia.
Qeveria e Nicolás Maduro ka pohuar për vite me radhë se vështirësitë ekonomike të vendit janë për shkak të sanksioneve të SHBA-së, të cilat kanë kufizuar aftësinë e saj për të eksportuar naftë.
Megjithatë ekspertët theksojnë se rënia e ndjeshme e prodhimit të naftës venezueliane – e cila tani është rreth 1.3 milion fuçi në ditë, nga një kulm prej 3.7 milion – është kryesisht rezultat i keqmenaxhimit dhe korrupsionit gjatë administratave të Chávez dhe Maduro.
Sipas Monaldi, "shpronësimet e Chávez u ekzekutuan dobët dhe Venezuela po paguan çmimin, por kjo nuk do të thotë që nafta venezueliane u përket kompanive amerikane. Nuk u ka përkitur kurrë; ata vetëm kishin koncesionin për ta nxjerrë atë."
Dhe ashtu siç foli Trump këtë të shtunë për rolin e amerikanëve në origjinën e industrisë së naftës venezueliane, e ka bërë më parë edhe Stephen Miller, Këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe një figurë kyçe në kabinetin e tij.
"Djersa, zgjuarsia dhe përpjekja amerikane krijuan industrinë e naftës së Venezuelës. Shpronësimi i saj despotik ishte vjedhja më e madhe e pasurisë dhe pronës amerikane e regjistruar ndonjëherë. Këto asete të plaçkitura u përdorën për të financuar terrorizmin dhe për të përmbytur rrugët tona me vrasës, mercenarë dhe drogë", tha Miller.
Në këtë drejtim, Monaldi beson se "Trump dhe Miller po përdorin retorikë të ekzagjeruar që nuk korrespondon me faktet".
Tinker Salas pajtohet se "nuk ka kontekst historik për të thënë se Venezuela vodhi naftë nga Shtetet e Bashkuara".
Dhe në lidhje me pohimin e Miller se ishte "djersa amerikane që i dha jetë industrisë së naftës në Venezuelë ai thotë: "Sigurisht, kishte një grup ekspertësh amerikanë, por ata që hapën xhunglën, hapën puset dhe punuan tokën ishin venezuelasit
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






