Transmetuar më 04-01-2026, 09:50

Tiranë, 4 janar 2026 Rritja e shpejtë e çmimeve të pasurive të paluajtshme po e kthen blerjen e një apartamenti në Tiranë në një sfidë gjithnjë e më të paarritshme për familjet e shtresës së mesme, ndërsa të ardhurat nuk po ecin në të njëjtin ritëm me tregun e banesave.

Sipas të dhënave të fundit, projektet e reja rezidenciale në zona periferike të kryeqytetit po shiten me çmime që arrijnë deri në 2,000 euro për metër katror, ndërsa në zonat elitare si ish-Blloku, çmimet kanë kapur nivele rekord deri në 5,500 euro/m². Në kontrast të fortë me këtë rritje, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri për vitin 2024 ishte rreth 770 euro, sipas INSTAT, rreth 30% më e ulët se mesatarja e vendeve të rajonit.

Të dhënat nga tregu tregojnë se vetëm gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, çmimet e apartamenteve në disa zona të Tiranës janë rritur nga 10% deri në 33%, në varësi të vendndodhjes. Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë tregon se në gjysmën e parë të vitit 2025, çmimet e banesave u rritën me 14.6% krahasuar me gjashtëmujorin e mëparshëm dhe me 41.7% krahasuar me vitin 2024.

Sipas indeksit “Keydata”, deri në qershor 2025, çmimi mesatar i një apartamenti në Tiranë arriti në 1,830 euro/m², ndërsa në krahasim me vitin 2005, çmimet janë rritur gati trefish. Shqipëria u rendit ndër vendet me rritjen më të lartë të çmimeve të banesave në Europë gjatë vitit 2024, sipas raportit të “Deloitte”, duke u pozicionuar e dyta pas Polonisë.

Ekspertët theksojnë se për të blerë një apartament standard prej 70 metrash katrorë në Tiranë, një qytetari shqiptar i nevojiten rreth 19 paga vjetore bruto, një nivel përballueshmërie më i ulët se në disa kryeqytete europiane si Athina apo Amsterdami. Sipas Stela Dhamit nga “Colliers Albania”, një çift me të ardhura mesatare ka nevojë për 15–19 vite për të përballuar blerjen e një banese, ndërkohë që standardi i Bashkimit Europian varion nga 10 deri në 12 vite.

Situata rëndohet edhe më tej nga kostot e larta të kredive hipotekore dhe nga rritja e qirave. Në zonat pranë qendrës së Tiranës, qiratë për apartamente 1+1 variojnë nga 600 deri në 900 euro në muaj, ndërsa në periferi nga 400 deri në 500 euro, duke tejkaluar shpesh kufirin prej 30% të të ardhurave mujore, që konsiderohet standardi maksimal i përballueshmërisë ndërkombëtare.

Sipas INSTAT, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 40% të buxhetit mujor për ushqim, një nivel shumë më i lartë se mesatarja e Bashkimit Europian. Kjo strukturë shpenzimesh, e kombinuar me çmimet e larta të banesave dhe qirave, po e bën strehimin një nga problemet më të mprehta sociale dhe ekonomike në kryeqytet.

Ekspertët paralajmërojnë se, pa politika konkrete për rritjen e të ardhurave, lehtësimin e kredive hipotekore dhe zhvillimin e strehimit të përballueshëm, tregu i pasurive të paluajtshme në Tiranë rrezikon të mbetet i aksesueshëm vetëm për një numër të kufizuar blerësish, duke përjashtuar pjesën më të madhe të familjeve me të ardhura mesatare dhe të ulëta.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit