Transmetuar më 04-01-2026, 09:23

MAQEDONIA E VERIUT- Lista e pritjes për transplantim organesh në Maqedoninë e Veriut dominohet nga pacientët që kanë nevojë për veshka. Pjesa më e madhe e rreth 1.600 pacientëve në dializë presin transplantim të veshkës nga një dhurues i vdekur; disa prej tyre prej dekadash, ndërsa disa të tjerë vdesin duke pritur. Në vitin 2025, familjet e tre dhuruesve janë pajtuar t’i dhurojnë organet.

Brankica Razmoska nga fshati veriperëndimor i Maqedonisë së Veriut, Vevçani, është 32 vjeçe dhe jeta e saj varet nga aparati i dializës.

Asaj iu shfaq sëmundja kur ishte tetë vjeçare. Në moshën 16-vjeçare veshkat i dështuan plotësisht dhe ajo u fut në dializë si pasojë. Për fat të mirë, nëna e saj ishte dhuruese e afërt dhe ia dhuroi një veshkë. Për fat të keq, pas dhjetë vjetësh, ajo veshkë dështoi dhe që nga viti 2019 ajo është sërish në dializë, nga katër orë, tri herë në javë.

“Derisa të rinjtë e tjerë planifikojnë të ardhmen, ne planifikojmë terapitë. Dhe, kjo është shumë e vështirë”, thotë ajo për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL), teksa pret transplantimin e veshkës.

Asaj nuk i jeton më babai, ndërsa nuk ka vëllezër apo motra, prandaj nuk ka dhurues tjetër të afërt përveç nënës, e cila tashmë i ka dhuruar një veshkë. Për këtë arsye, transplantimi i ardhshëm është i mundur vetëm nga një dhurues kadaverik (një njeri që dhuron organet pasi të ketë vdekur).

“Shpresoj shumë, çdo ditë shpresoj që një ditë të më thërrasin dhe të më ftojnë për transplantim. Lutja ime është se me dhurimin e organeve ju nuk humbni asgjë, ju dhuroni jetë. Nëse dikush humb një njeri, ai njeri mund të vazhdojë të jetojë në një njeri tjetër, dhe të ndihmojë shumë”, thotë Razmoska.

Në Maqedoninë e Veriut janë rreth 1.600 pacientë në dializë dhe 23 qendra dialize. Shumica e tyre presin transplantim kadaverik, sepse nuk kanë dhurues të afërm.

Në listën e pritjes për organe janë rreth 200 pacientë. Prej tyre, 165 presin veshka, rreth 30 kanë nevojë për zemër, ndërsa të tjerët për mëlçi ose kocka.

Disa pacientë presin me dekada, ndërsa një pjesë e tyre kurrë nuk arrijnë të marrin organ, thotë Dushko Gjorgjiev, kryetar i shoqatës së pacientëve me sëmundje të veshkave, “Nefron”.

“Kemi vite kur nuk kryhen fare transplantime kadaverike, kemi vite kur ky numër rritet disi, por në thelb është shumë i vogël për të përmbushur nevojat e pacientëve”, thotë Gjorgjiev.

Rregullorja në vend është ajo e “pëlqimit të supozuar” për dhurimin e organeve. Pra, secili është dhurues, përveç nëse gjatë jetës është deklaruar ndryshe. Megjithatë, pas vdekjes së trurit, familja ka fjalën e fundit nëse do t’i dhurojë apo jo organet.

Jeta pas transplantimit

Për dallimin mes jetës në dializë dhe jetës me veshkë të transplantuar dëshmon Tanja Pavlovska nga Shkupi, e cila tashmë 18 vjet jeton me një veshkë nga dhurues i gjallë: tezja e saj.

Edhe pse disa anëtarë të familjes kanë bërë analiza, vetëm tezja ka rezultuar dhuruese e përputhshme.

“Dializa është një moment i rëndë fizikisht dhe psiqikisht. Pas transplantimit, jeta m’u kthye në normalitet: kam më shumë energji, shëndet më të mirë, më shumë aktivitet, më shumë kohë për familjen, miqtë, shkoj në punë normalisht, u ktheva në rrjedhën e zakonshme të jetës”, thotë Pavlovska.

Ajo konsideron se ndërgjegjësimi për dhurimin e organeve është i pamjaftueshëm dhe se frika dhe dezinformatat i largojnë njerëzit nga ky akt human.

“Mendoj se duhet të flitet më shumë për këtë temë, të zgjohet ndërgjegjja te secili prej nesh. Supozoj se problemi më i madh është frika e njerëzve se çfarë mund të ndodhë. Tezja ime ndihet shkëlqyeshëm, nuk ka asnjë pasojë dhe shpresoj që të mos ketë as në të ardhmen”, tha Pavlovska për REL-in.

Tre të ndjerë dhurues organesh në vitin 2025

Në vitin 2025 ishin 13 dhurues potencialë organesh, njerëz që kanë humbur jetën. Disa prej tyre janë përjashtuar për arsye mjekësore. Familjet e tre dhuruesve janë pajtuar t’i dhurojnë organet e tyre. Janë kryer dy transplantime të mëlçisë, gjashtë transplantime të veshkave, dhjetë transplantime kockash dhe tri transplantime të indeve muskulo-skeletore.

Po në vitin 2025 janë kryer edhe pesë transplantime të veshkës nga dhurues të gjallë, si dhe ka filluar një program i ri transplantimi me nëntë transplante të kornesë (brirëzës), sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë.

Në vitet 2024 dhe 2023 ishin nga dy dhurues të vdekur dhe edhe gjashtë dhurues të gjallë organesh. Transplantimi kadaverik mbetet sfidë, sepse kur familjet refuzojnë t’i dhurojnë organet e të afërmit të tyre, kjo i zemëron edhe mjekët.

“Kur ne si ekip koordinues i kryejmë të gjitha testet, diagnostikojmë vdekjen e trurit, vlerësojmë organet, konkludojmë se kemi një dhurues potencial që mund t’u japë jetë disa pacientëve dhe përballemi me refuzim nga familja, atëherë jemi vërtet të pafuqishëm. Ne jemi të detyruar ligjërisht ta respektojmë vullnetin e familjes, e cila ka të drejtë të japë ose të mos japë pëlqim”, thotë Biljana Kuzmanovska, koordinatore kombëtare për transplantim.

E kundërta ndodh kur mjekët marrin pëlqimin.

“Këto janë momente shumë emocionale, si për ne ashtu edhe për familjet. Ne jemi përballë një vullkani mirësie. Kur sheh përpara teje njerëz që humbasin dikë më të dashur në jetë dhe prapë pajtohen të dhurojnë një pjesë të trupit të të dashurit të tyre që të jetojë në trupin e njerëzve që nuk do t’i njohin kurrë… kjo vërtet të ndryshon. Edhe mua më ndryshon”, thotë Kuzmanovska.

Mjekët janë krenarë që te pacientët nuk ka pasur komplikime pas transplantimeve.

Për vitin 2026, ekipi i transplantimit po përgatitet të fusë një metodë tjetër: transplantimin e mëlçisë nga dhurues i gjallë. Aspekti ligjor është përgatitur, ndërsa nëse do të kryhet një transplantim i tillë në Maqedoninë e Veriut do të varet edhe nga ekzistenca e dhuruesve.

Mbi 500 transplantime të veshkave në Maqedoninë e Veriut

Maqedonia e Veriut po i afrohet 50-vjetorit të transplantimit të parë të veshkës, të kryer në vitin 1977 – një sukses mjekësor që, sipas shoqatës “Nefron”, tregon se vendi ka kohë që është në hap me sistemet moderne shëndetësore.

Megjithatë, ata vlerësojnë se numri i transplantimeve, rreth 510, nuk është i mjaftueshëm.

“Kemi vende në rajon, si Kroacia, që për një vit e gjysmë kryejnë aq transplantime sa ne kemi kryer për 50 vjet. Në botë tashmë ka edhe ritransplantime. Te ne kjo nuk ndodh sepse kemi shumë pak organe dhe shumë pacientë në pritje. Numri real i njerëzve që presin organe është më i madh se ai në listë, sepse në mungesë të transplantimit kadaverik pacientët nuk i kryejnë analizat dhe tipizimet e nevojshme, duke e ditur paraprakisht se në të ardhmen e afërt nuk mund të marrin organ, ndërsa analizat kërkojnë kohë dhe para”, thotë Gjorgjiev.

Sipas tij, është e domosdoshme një fushatë e vazhdueshme gjatë gjithë vitit për ngritjen e ndërgjegjësimit për dhurimin e organeve, si dhe zgjerimi ose ndërtimi i një Qendre të re të Transplantimit, e cila nuk funksionon që nga pandemia kur shërbente si qendër për COVID-19.

Koordinatorja kombëtare Kuzmanovska njofton se Qendra po rinovohet dhe do të ketë pesë bokse dhe një pjesë për dializë. Gjithashtu, tani e tutje pacientët me vdekje të trurit do të mund të identifikohen edhe nga njësia e kujdesit intensiv në SPQ “8 Shtatori”, ndryshe nga më parë kur kjo bëhej vetëm në Klinikën e Anestezisë, Reanimacionit dhe Mjekimit Intensiv (KARIL).

Po ashtu, po përgatiten ndryshime në ligjin për transplantim, me të cilat do të lejohet që dhurues të gjallë organesh të jenë edhe kushërinjtë e parë. Deri tani kjo ishte e kufizuar te nëna, babai, vëllai, motra, gjyshja, gjyshi, daja, xhaxhai, tezja, fëmijët dhe nipërit dhe mbesat./REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit