

Londër, 4 janar 2026 Boksieri britanik i peshave të rënda, Anthony Joshua, është kthyer në Mbretërinë e Bashkuar pas aksidentit të rëndë rrugor që i mori jetën dy miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, ndërsa ai vetë shpëtoi me lëndime të lehta.
Sipas raportimeve të Sun Online, Joshua ka mbërritur të premten në mbrëmje në aeroportin Stansted të Londrës me një avion privat dhe është transportuar më pas në rezidencën e tij, ku do të vijojë procesin e rikuperimit.
Aksidenti ndodhi të hënën pranë Lagosit, kur automjeti tip SUV 4×4 me të cilin udhëtonte kampioni i dyfishtë i botës u përplas me një kamion të palëvizshëm. Si pasojë humbën jetën trajneri i forcës i Joshuas, Sina Ghami, dhe trajneri i tij personal Latif “Latz” Ayodele, të dy 36 vjeç.

Joshua, gjithashtu 36 vjeç, u nxor nga rrënojat e automjetit nga ekipet e emergjencës dhe u shtrua në spital, por fatmirësisht pësoi vetëm lëndime të lehta. Në gjykatë, shoferi i mjetit, Adeniyi, deklaroi se pak çaste para aksidentit fatal, Joshua i kishte shpëtuar vdekjes pasi i ishte kërkuar të ndërronte vend dhe të kalonte nga sedilja e përparme në pjesën e pasme të automjetit.
Ndërkohë, funeralet e dy viktimave do të zhvillohen sot në Londër, në një xhami, ku familjarë dhe miq do të marrin pjesë në një shërbesë lutjeje xhenaze, sipas ritit islam.
Burime pranë boksierit bëjnë me dije se Joshua ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në ceremoni, nga shqetësimi se prania e tij mund të tërheqë vëmendje të tepruar mediatike dhe të cenojë qetësinë e familjeve të të ndjerëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






