

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka ndarë detaje dramatike mbi atë që ai e përshkruan si një operacion të drejtpërdrejtë për kapjen e presidentit venezuelas Nicolás Maduro — një rrëfim që, sipas vetë Trumpit, “dukej më shumë si një serial televiziv, se sa si realitet”.
Sipas Trump, Maduro ndodhej në një rezidencë të fortifikuar, të pajisur me dyer çeliku dhe një hapësirë sigurie të ndërtuar tërësisht me materiale rezistente, e menduar për t’i rezistuar ndërhyrjeve të dhunshme.
“Ishte më shumë një fortesë se sa një shtëpi. Kishte dyer çeliku dhe atë që quhet ‘safety space’, e rrethuar nga çelik solid nga të gjitha anët,” tha Trump për Fox News.
Trump pretendon se Maduro tentoi të hynte në këtë hapësirë sigurie, por nuk arriti dot.
“Ai po përpiqej të futej atje, por u kap aq shpejt sa nuk ia doli. Ne ishim të përgatitur. Kishim pishtarë industrialë dhe gjithçka tjetër që nevojitet për të çarë çelikun, por nuk u desh. Ai nuk arriti të hynte në atë zonë të shtëpisë”.
Sipas këtij rrëfimi, Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën në befasi, të nxjerrë nga shtrati, dhe më pas u larguan nga Venezuela me helikopter. Nga aty, ata thuhet se u transferuan në një anije që i dërgoi drejt New York-ut.
Trump shtoi se ai e ndoqi operacionin në kohë reale nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago.
“Më dukej sikur po shikoja një film televiziv,” u shpreh ai.
Një helikopter amerikan u godit gjatë operacionit në Venezuelë, por asnjë avion nuk u humb. “Të gjithë u kthyen”, tha Trump duke theksuar se nuk pati viktima amerikane, por disa “disa djem” u plagosën. “Nuk mendoj se pati viktima; disa djem u plagosën, por u kthyen dhe me sa duket po shkojnë mjaft mirë”, theksoi Trump.
Trump tha se SHBA-të do të jenë “fort të përfshira” në industrinë e naftës së Venezuelës në të ardhmen.
Ai shtoi se kishte folur me Maduron “një javë më parë” dhe i kishte thënë: “Duhet të dorëzohesh, duhet të heqësh dorë”.
“Duhej të bënim diçka shumë më kirurgjikale, shumë më të fuqishme,” tha Trump.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






