

Presidenti Trump i drejtohet kombit amerikan
Përditësime live nga Venezuela: Trump thotë se SHBA do ta drejtojë vendin pas kapjes së Maduro-s
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të marrin drejtimin e Venezuelës pas kapjes së presidentit Nicolás Maduro, duke folur për një “partneritet” mes dy vendeve që, sipas tij, do t’i bënte venezuelianët “të pasur, të pavarur dhe të sigurt”. Ky partneritet, megjithatë, u arrit përmes rrëzimit të qeverisë ekzistuese.
“Ne ishim të përgatitur të kryenim një valë të dytë” pas sulmit të parë, tha Trump, por sipas tij kjo nuk ishte e nevojshme për shkak të suksesit të operacionit fillestar. Ai shtoi se SHBA-ja është e gatshme të veprojë sërish në të ardhmen, nëse do të jetë e nevojshme.
Trump nuk vendosi asnjë afat kohor për praninë amerikane në Venezuelë, duke theksuar se do të jetë SHBA-ja ajo që do të vendosë se kur vendi do t’i rikthehet kontrollit venezuelian. Ai u ndal edhe te nafta, duke deklaruar se kompanitë amerikane do të rregullojnë infrastrukturën dhe “do të fillojnë të gjenerojnë të ardhura për vendin”.
“Ne do ta drejtojmë vendin derisa të mund të realizohet një tranzicion i sigurt, i duhur dhe i matur,” tha Trump, duke sugjeruar qartë një okupim. Ai kujtoi se SHBA-ja e ka bërë këtë edhe më parë, në Gjermani, Japoni dhe Irak, megjithëse pranoi se historia ka qenë e përzier.
Sa i përket udhëheqjes së ardhshme të Venezuelës, Trump tha se situata është ende e paqartë, por theksoi se SHBA-ja do të mbajë kontrollin deri sa të sigurohet një tranzicion i sigurt. Ai e përsëriti këtë tre herë. “Ne do ta drejtojmë vendin,” tha ai, duke shtuar se nuk dëshiron që regjimi i Maduro-s të vazhdojë me një tjetër figurë në krye.
“Ata e dinin që ne po vinim,” tha Trump, duke pretenduar se ushtria venezueliane u neutralizua shpejt. “Asnjë ushtar amerikan nuk u vra,” deklaroi ai, megjithëse më herët kishte lënë të kuptohej se kishte pasur viktima.
Trump sugjeroi gjithashtu se SHBA-ja ndërpreu energjinë elektrike në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, pa dhënë detaje se si u realizua kjo. Mënyrat më të mundshme, sipas tij, do të ishin një sulm fizik ndaj rrjetit energjetik ose një sulm kibernetik.
Në hapjen e konferencës për shtyp në Mar-a-Lago, Trump tha se u përdor “fuqi dërrmuese ushtarake amerikane”, nga “ajri, toka dhe deti”, për të kapur Maduro-n. Ai e krahasoi operacionin me ndërhyrje të tjera që ka urdhëruar, përfshirë sulmin ndaj objekteve bërthamore të Iranit në qershor, duke theksuar se “asnjë vend tjetër” nuk do të ishte në gjendje të kryente një operacion të tillë.
Trump e përshkroi operacionin në Venezuelë si një forcë që nuk ishte parë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ai, i cili kishte qenë zgjuar pothuajse gjithë natën, u shfaq i lodhur gjatë deklaratës.
Në konferencë, Trump u shoqërua nga disa prej zyrtarëve kryesorë të sigurisë kombëtare, përfshirë Pete Hegseth, Marco Rubio, Dan Caine, John Ratcliffe dhe Stephen Miller. Në sallë ndodheshin gjithashtu Steve Witkoff dhe Kash Patel, të cilët qëndronin më në anë.

Foto e publikuar nga Trump në Truth Social
Përditësime live: Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikon aktakuzë të re ndaj Maduros dhe bashkëshortes së tij për komplot narkoterrorist
Shtetet e Bashkuara kanë kapur presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe e kanë nxjerrë nga vendi me avion në një operacion të jashtëzakonshëm të zhvilluar gjatë natës, i shoqëruar nga një seri sulmesh pas muajsh presioni të përshkallëzuar nga administrata Trump ndaj këtij shteti të pasur me naftë në Amerikën e Jugut.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi sot për Fox News se Uashingtoni po vendos aktualisht hapat e radhës për Venezuelën, duke shtuar:
“Do të jemi shumë të përfshirë në këtë proces.”
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha se Maduro dhe bashkëshortja e tij do të përballen me akuza pas një aktakuze të ngritur në Nju Jork. Bondi u shpreh në një postim në rrjetet sociale se çifti do të “përballet së shpejti me gjithë forcën e drejtësisë amerikane, në tokën amerikane dhe në gjykatat amerikane”.
Ky veprim tronditës ushtarak amerikan, që çoi në largimin me forcë nga pushteti të një presidenti në detyrë, rikujton pushtimin e Panamasë nga SHBA-ja në vitin 1990, i cili përfundoi me dorëzimin dhe arrestimin e liderit të saj, Manuel Antonio Noriega — pikërisht 36 vite më parë, po në këtë datë.
Ja çfarë dihet deri tani:
Shpërthime në Karakas
Vetë sulmi zgjati më pak se 30 minuta dhe shpërthimet — të paktën shtatë — bënë që njerëzit të dilnin me panik në rrugë, ndërsa të tjerë përdorën rrjetet sociale për të raportuar atë që kishin parë dhe dëgjuar. Ende nuk dihet nëse ka pasur viktima apo të plagosur nga asnjëra palë.
Pikëpyetje mbi ligjshmërinë
Shtetet e Bashkuara nuk e njohin juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe pasojat ligjore të këtij sulmi sipas ligjit amerikan nuk janë të qarta. Administrata Trump mban qëndrimin se Nicolás Maduro nuk është udhëheqësi legjitim i Venezuelës dhe pretendon se ai e ka shndërruar vendin në një ndërmarrje kriminale në shërbim të trafikantëve të drogës dhe grupeve terroriste.
E ardhmja e Venezuelës e pasigurt
Sipas ligjit, nënpresidentja Delcy Rodríguez duhet të marrë pushtetin, por nuk ka asnjë konfirmim se kjo ka ndodhur. Qeveria e Maduros akuzoi SHBA-në për një “sulm imperialist” ndaj objekteve civile dhe ushtarake dhe u bëri thirrje qytetarëve të dalin në rrugë.
Veprimi i Trump kundër Maduros bie në kontrast me faljen e dhënë për ish-presidentin e Hondurasit
Veprimi dramatik i presidentit Donald Trump kundër Nicolás Maduros qëndron në kontrast të fortë me faljen (amnistinë) që ai i dha ish-presidentit të Hondurasit, Juan Orlando Hernández.
Në dhjetor, Trump e fali Hernández-in, pavarësisht se ai ishte dënuar me 45 vjet burg në Shtetet e Bashkuara për ndihmën e dhënë trafikantëve të drogës në transportimin e qindra tonëve kokainë drejt veriut, përmes territorit të Hondurasit, drejt SHBA-së.
Hernández, i cili kishte gëzuar mbështetje nga zyrtarë të administratës së parë Trump, u shpall fajtor nga një juri federale në Nju Jork — i njëjti qytet ku pritet të përballet me drejtësinë edhe Nicolás Maduro.
Kur u pyet në një intervistë për Politico lidhur me faljen, Trump deklaroi:
“Nuk e njoh” dhe “di shumë pak për të”, por shtoi se ishte informuar se Hernández “ishte kurdisur”.
“Vendi, eh, merret me drogë — siç ndoshta mund ta thuash për çdo vend — dhe për shkak se ai ishte president, i dhanë rreth 45 vjet burg”, tha Trump.
Pasojat e sulmeve amerikane mbi një bazë ushtarake në Venezuelë
Tymi u ngrit mbi një bazë ushtarake të shkatërruar në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, të shtunën në mëngjes, një nga disa objektet që u goditën nga sulmet ajrore amerikane gjatë natës.
Autobusë të bombarduar, me xhama të thyer dhe të shpuar nga copëza metalike, qëndronin pranë një automjeti të blinduar të djegur, duke nxjerrë re të dendura tymi. Në rrugë ishin rrëzuar shtylla ndriçimi, ndërsa copa pemësh dhe mbetje të rënda metalike ishin shpërndarë gjithandej. Gardhe metalike dhe tabela rrugore ishin përkulur dhunshëm nga forca e shpërthimeve.
Sulmi zgjati më pak se 30 minuta dhe shpërthimet — të paktën shtatë të tilla — detyruan banorët të dilnin me panik në rrugë. Të tjerë iu drejtuan rrjeteve sociale për të raportuar atë që kishin parë dhe dëgjuar.
Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, deklaroi se si civilë ashtu edhe pjesëtarë të forcave ushtarake venezueliane kanë humbur jetën, pa dhënë një shifër të saktë. Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump tha se disa forca amerikane janë plagosur gjatë operacionit në Venezuelë, por sipas tij nuk ka të vrarë nga pala amerikane.
Çfarë thuhet në aktakuzë
Sipas aktakuzës, Nicolás Maduro akuzohet se ka drejtuar një “qeveri të korruptuar dhe jolegjitime që, për dekada me radhë, ka shfrytëzuar pushtetin shtetëror për të mbrojtur dhe nxitur veprimtari të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës”. Dokumenti thekson se këto aktivitete kriminale “kanë pasuruar dhe forcuar elitën politike dhe ushtarake të Venezuelës”.
Autoritetet amerikane pretendojnë se Maduro ka bashkëpunuar me “disa nga trafikantët e drogës dhe grupet narkoterroriste më të dhunshme dhe më aktive në botë” për të futur sasi të mëdha kokaine në Shtetet e Bashkuara.
Sipas vlerësimeve të përfshira në aktakuzë, deri në vitin 2020 rreth 250 tonë kokainë janë trafikuar përmes territorit të Venezuelës. Droga, sipas autoriteteve, është transportuar me mjete të shpejta detare, anije peshkimi dhe anije kontejnerësh, si dhe përmes avionëve që niseshin nga pista ajrore të fshehta.
Departamenti i Drejtësisë publikon një aktakuzë të re ndaj Maduro-s dhe bashkëshortes së tij
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka bërë publike të shtunën një aktakuzë të re ndaj presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, lidhur me rolin e tyre të dyshuar në një komplot të gjerë për narkoterrorizëm.
Maduro dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Venezuelës ishin paditur fillimisht në vitin 2020 me akuza për “komplot narkoterrorist”. Aktakuza e re, e depozituar në Nju Jork, forcon këto akuza dhe përfshin drejtpërdrejt edhe bashkëshorten e tij.
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, deklaroi se Maduro dhe Flores do të përballen me drejtësinë amerikane pas këtij zhvillimi të ri ligjor. Në një postim në rrjetet sociale, Bondi u shpreh se çifti “së shpejti do të përballet me gjithë forcën e drejtësisë amerikane në territorin dhe gjykatat e Shteteve të Bashkuara”.
OKB: Thellësisht të alarmuar nga sulmi amerikan në Venezuelë
Organizata e Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se është “thellësisht e alarmuar” nga sulmet e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë, si dhe nga raportimet për ndalimin e presidentit Nicolás Maduro.
Në një deklaratë zyrtare, OKB shprehu shqetësimin se përshkallëzimi i situatës mund të përbëjë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
“Këto zhvillime përbëjnë një precedent të rrezikshëm,” tha Stéphane Dujarric, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Ai theksoi se Organizata është e shqetësuar për pasojat më të gjera që kjo situatë mund të ketë për Amerikën Latine dhe Karaibet, duke u bërë thirrje “të gjithë aktorëve në Venezuelë” që të respektojnë të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.
Kina dënon ashpër sulmin e SHBA-së në Venezuelë
Kina ka dënuar ashpër sulmin e Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe veprimet kundër presidentit të këtij vendi, bëri të ditur Ministria e Jashtme kineze, duke theksuar se Pekini është “thellësisht i tronditur” dhe kundërshton fuqishëm këtë operacion.
“Një akt i tillë hegjemonist i SHBA-së shkel rëndë të drejtën ndërkombëtare dhe sovranitetin e Venezuelës, si dhe kërcënon paqen dhe sigurinë në rajonin e Amerikës Latine dhe Karaibeve,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Autoritetet kineze i kanë bërë thirrje Uashingtonit të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke e nxitur të ndalë shkeljen e sovranitetit dhe sigurisë së shteteve të tjera.
Shqipëria flet për përkrahje ndaj NATO-s, por sulmi amerikan nuk ka lidhje me Aleancën
Qeveria shqiptare u nxitua të shprehë mbështetje ndaj sulmit amerikan dhe, në përpjekje për të ruajtur ekuilibrat përmendi dhe mbështetje ndaj NATO, paçka se operacioni luftarak i Trump nuk lidhet me Aleancën.
Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, tha se qeveria ku bën pjesë është "përkrah Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit të SHBA-së në veprimet e tyre vendimtare kundër regjimit narko-terrorist të Venezuelës."
Ministrja shtoi se "si një aleat i palëkundur i SHBA-së dhe anëtar i NATO-s, Shqipëria qëndron krah për krah me lidershipin amerikan në mbrojtje të parimeve demokratike dhe sigurisë globale."
MPJ greke, e rezervuar
Përkundër mbështetjes së fortë të qeverisë shqiptare ajo greke u shpreh me nota të rezervuara:
"Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë po e ndjek nga afër situatën në Venezuelë, në koordinim të ngushtë me partnerët e Bashkimit Europian dhe me Ambasadën Greke në Karakas, e cila është në kontakt me komunitetin grek në vend dhe është e gatshme të ofrojë ndihmë".
Venezuelanët të tronditur pas sulmit amerikan, pasiguri totale për të ardhmen
Forcat e sigurisë venezueliane patrulluan rrugë pothuajse të zbrazëta në agim të së shtunës në Caracas, vetëm disa orë pasi shpërthime të fuqishme zgjuan banorët dhe u konfirmua se komandot amerikane kishin bombarduar objektiva ushtarake dhe kishin kapur presidentin Nicolás Maduro.
Zonat pranë Pallatit Presidencial Miraflores u panë të boshatisura, përveç postblloqeve të armatosura, ndërsa qytetarët shprehën tronditje dhe pasiguri të thellë për atë se kush po e drejton vendin pas ndërhyrjes ushtarake amerikane.
Re tymi të errët u panë mbi qiellin e kryeqytetit, njëra prej tyre nga drejtimi i Portit të La Guaira në veri dhe një tjetër pranë një baze ajrore në Caracas. Shumica e banorëve qëndruan në shtëpi, duke ndjekur zhvillimet përmes telefonave, ndërsa disa të tjerë dolën për të furnizuar ushqime nga frika e një përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.
Në qytetin Maracaibo, mbështetësit e opozitës shfaqën edhe emocione gëzimi.
“Motra ime nga SHBA-ja më zgjoi duke qarë nga gëzimi. Qamë bashkë,” tha Jairo Chacin, 39 vjeç, mekanik, teksa priste në radhë për të blerë ushqime. “Kam frikë, por edhe shpresë. Nuk e dimë çfarë do të ndodhë.”
Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi kapjen e Maduros, pas muajsh presioni ndaj tij për akuza lidhur me trafik droge dhe mungesë legjitimiteti. Ky është ndërhyrja e parë e drejtpërdrejtë ushtarake amerikane për rrëzimin e një lideri që nga pushtimi i Panamasë në vitin 1989.
Pas kapjes së Maduros, ministri i Brendshëm venezuelian, Diosdado Cabello, doli në televizionin shtetëror i veshur me jelek antiplumb dhe helmetë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bashkëpunojnë me atë që e quajti “armik terrorist”.
Sulmi nisi rreth orës 02:00 të mëngjesit dhe zgjati rreth 90 minuta. Pamje të verifikuara nga Reuters treguan shpërthime të shumta që ndriçonin qiellin e natës dhe tym të dendur mbi qytet. Zona jugore e Caracasit, pranë një baze të madhe ushtarake, mbeti pa energji elektrike.
“E pashë fillimisht në rrjete sociale dhe pastaj në televizor. Tani dua vetëm të di çfarë do të ndodhë më pas,” tha Nancy Pérez, 74 vjeçe, nga Valencia, citon noa.al një raport të Reuters.
Sipas të dhënave të radarëve ajrorë, hapësira ajrore mbi Venezuelë rezultonte plotësisht e zbrazët mëngjesin e së shtunës. Banorë të shumtë raportuan se dëgjuan avionë dhe panë drita në qiell, të ndjekura nga shpërthime.
Frika, pasiguria dhe mungesa e informacionit zyrtar po mbajnë të mbyllur shumicën e qytetarëve në shtëpi, ndërsa Venezuela përballet me një nga momentet më të paqarta dhe dramatike të historisë së saj moderne.
Pse Donald Trump sulmoi Venezuelën dhe urdhëroi kapjen e Nicolás Maduro?
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se forcat amerikane kanë kapur presidentin e Venezuelës Nicolás Maduro, pas një serie sulmesh të gjera ushtarake brenda territorit venezuelian.
Trump shkroi në rrjetet sociale se Maduro dhe bashkëshortja e tij, zonja e parë Cilia Flores, janë nxjerrë nga vendi dhe më pas tha për Fox News se ndodhen në një anije, në udhëtim drejt Nju Jorkut.
Ministri i Mbrojtjes së Venezuelës, Vladimir Padrino, reagoi duke deklaruar se forcat e armatosura do të mbrojnë sovranitetin e vendit.
Pse Trump e ka vënë në shënjestër Venezuelën?
Sipas Trump, Maduro mban përgjegjësi direkte për valën e madhe të emigrantëve venezuelianë që kanë mbërritur në SHBA. Rreth 8 milionë venezuelianë besohet se kanë ikur nga vendi që nga viti 2013, për shkak të krizës ekonomike dhe represionit politik.
Pa paraqitur prova konkrete, Trump ka akuzuar Maduron se ka “zbrazur burgjet dhe institucionet psikiatrike”, duke detyruar të dënuarit të emigrojnë drejt SHBA-së.
Një tjetër shtyllë e politikës së Trump ka qenë lufta kundër drogës, veçanërisht kundër kokainës dhe fentanilit. Administrata e tij ka shpallur dy grupe kriminale venezueliane – Tren de Aragua dhe Cartel de los Soles – si Organizata Terroriste të Huaja.
Trump ka pretenduar se Cartel de los Soles drejtohet nga vetë Maduro, ndonëse analistët theksojnë se nuk bëhet fjalë për një organizatë të strukturuar, por për një term që përshkruan zyrtarë të korruptuar që kanë lejuar kalimin e drogës përmes Venezuelës.
Maduro i ka mohuar me forcë këto akuza, duke thënë se SHBA përdor “luftën kundër drogës” si justifikim për ta rrëzuar dhe për të marrë kontrollin mbi rezervat gjigante të naftës së Venezuelës.
Si u rrit presioni amerikan ndaj Venezuelës?
Që nga fillimi i mandatit të dytë të Trump në janar, SHBA ka përshkallëzuar ndjeshëm presionin:
Dyfishoi shpërblimin për informacion që çon në kapjen e Maduron
Filloi sulme ndaj anijeve të dyshuara për trafik droge
Kreu mbi 30 sulme detare, me mbi 110 të vrarë
Vendosi bllokadë totale detare për cisternat e naftës
Autorizoi operacione të fshehta të CIA-s brenda Venezuelës
Shumë ekspertë ligjorë kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e këtyre sulmeve, duke i cilësuar si shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe si sulme ndaj objektivave civile.
A po e “përmbyt” Venezuela SHBA-në me drogë?
Ekspertët ndërkombëtarë të antidrogës theksojnë se Venezuela është kryesisht vend tranzit, jo prodhues kryesor. Sipas DEA-s amerikane, rreth 75% e kokainës që hyn në SHBA kalon përmes Oqeanit Paqësor, jo përmes Venezuelës.
Sa i përket fentanilit, ai prodhohet kryesisht në Meksikë dhe hyn në SHBA pothuajse ekskluzivisht nga kufiri tokësor jugor. Venezuela nuk përmendet si burim fentanili në raportin zyrtar të DEA për vitin 2025.
Kush është Nicolás Maduro dhe si erdhi në pushtet?
Maduro erdhi në pushtet në vitin 2013, pas vdekjes së presidentit Hugo Chávez. Gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet, partia e tij ka marrë kontrollin e institucioneve kyçe të shtetit.
Në zgjedhjet e vitit 2024, Maduro u shpall fitues, por opozita publikoi të dhëna që tregonin fitore të thellë të kandidatit Edmundo González, i cili zëvendësoi lideren opozitare María Corina Machado, pasi ajo u ndalua të kandidonte.
Machado u nderua me Çmimin Nobel për Paqen, por autoritetet venezueliane e kanë shpallur “në kërkim”.
Sa e madhe është prania ushtarake amerikane?
SHBA ka vendosur rreth 15.000 trupa në Karaibe, përfshirë aeroplanmbajtësen më të madhe në botë, USS Gerald Ford. Ajo ka luajtur rol kyç në sekuestrimin e cisternave të naftës pranë brigjeve të Venezuelës.
Nafta, arsyeja e heshtur?
Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të provuara të naftës në botë. Edhe pse SHBA mohon se veprimet ndaj Maduron lidhen me naftën, Trump ka deklaruar publikisht pas sekuestrimit të një cisterne:
“Mendoj se do ta mbajmë naftën.”
Aktualisht, Venezuela eksporton rreth 900.000 fuçi në ditë, dhe Kina është blerësi kryesor.
Çfarë dimë deri tani për sulmet e SHBA ndaj Venezuelës dhe kapjen e Nicolás Maduro
Presidenti i Venezuelës Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij, zonja e parë Cilia Flores, janë kapur nga forcat amerikane pas një operacioni të gjerë ushtarak në Venezuelë, ka deklaruar presidenti i SHBA-së Donald Trump.
Sipas Trump, Maduro dhe Flores janë nxjerrë nga vendi me një operacion ushtarak të koordinuar me forcat e rendit amerikane dhe janë transportuar drejt Nju Jorkut, ku përballen me akuza të rënda penale.
Ngjarja vjen pasi në orët e para të së shtunës u raportuan shpërthime të forta në Karakas, përfshirë edhe në baza ushtarake.
Çfarë dihet për operacionin?
Sipas CBS News që citon noa.al Maduro është kapur nga njësia elitare amerikane Delta Force, e specializuar për operacione kundër terrorizmit.
Trump deklaroi për Fox News se operacioni u zhvillua në një rezidencë “që i ngjante më shumë një fortese”, duke shtuar se forcat amerikane ishin të përgatitura edhe për një valë të dytë sulmesh, por nuk ishte e nevojshme pasi goditja e parë ishte “jashtëzakonisht e fuqishme”.
Ai tha se:
asnjë ushtar amerikan nuk u vra
pati vetëm disa të plagosur
operacionin e ndoqi drejtpërdrejt
Një burim i CIA-s brenda strukturave shtetërore venezueliane dyshohet se ka ndihmuar SHBA-në të lokalizojë Maduron, pas muajsh planifikimi dhe mbledhjeje informacioni.
Ku ndodhën sulmet?
BBC ka konfirmuar deri tani tre objektiva të goditur:
Baza Ajrore Generalissimo Francisco de Miranda (La Carlota) – Karakas
Porti La Guaira – lidhja kryesore detare e kryeqytetit me Karaibet
Aeroporti Higuerote – në shtetin Miranda
Autoritetet venezueliane njoftojnë se janë goditur edhe zonat Miranda, Aragua dhe La Guaira.
Ende nuk ka shifra zyrtare për viktima, por qeveria venezueliane ka folur për të vrarë dhe të plagosur, përfshirë civilë.
Çfarë ka thënë Donald Trump?
Trump e konfirmoi operacionin në rrjetin e tij Truth Social, duke e quajtur një:
“operacion të suksesshëm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj”.
Ai shtoi se SHBA do të jetë “shumë e përfshirë” në vendimet për të ardhmen e Venezuelës.
Për çfarë akuzohen Maduro dhe bashkëshortja e tij?
Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, konfirmoi se ndaj tyre është ngritur aktakuzë në Distriktin Jugor të Nju Jorkut për:
komplot për narco-terrorizëm
trafik ndërkombëtar kokaine
posedim dhe komplot për përdorim të armëve automatike dhe mjeteve shpërthyese
veprime armiqësore kundër SHBA-së
Bondi deklaroi se çifti do të përballet me:
“tërë ashpërsinë e drejtësisë amerikane në tokën amerikane”.
Si ka reaguar Venezuela?
Zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez tha se qeveria nuk e di ku ndodhen Maduro dhe Flores dhe kërkoi “provë të menjëhershme jete” për ta.
Ministri i Mbrojtjes Vladimir Padrino López deklaroi se:
janë goditur zona civile
Venezuela do të rezistojë praninë e trupave të huaja
është shpallur gjendje emergjente kombëtare
Qeveria venezueliane e cilësoi sulmin si:
“agresion ushtarak jashtëzakonisht të rëndë” dhe tentativë për të marrë kontrollin e naftës dhe mineraleve strategjike të vendit.
Kush është Nicolás Maduro dhe pse u kap?
Maduro erdhi në pushtet në vitin 2013 pas vdekjes së Hugo Chávez. Në zgjedhjet e vitit 2024 ai u shpall fitues, por opozita publikoi rezultate që tregonin fitore të thellë të kandidatit Edmundo González.
SHBA nuk e njeh legjitimitetin e tij dhe e akuzon për:
trafik droge
lidhje me grupe kriminale
shtypje politike dhe krizë humanitare
SHBA kishte vendosur një shpërblim 50 milionë dollarë për informacion që çonte në arrestimin e tij.
Reagimet ndërkombëtare
Sulmet kanë shkaktuar reagime të forta:
United Nations: “thellësisht e alarmuar”, precedent i rrezikshëm
Rusia: “agresion i armatosur i papranueshëm”
Kina: shkelje e rëndë e sovranitetit
Irani, Kuba, Brazili, Kolumbia, Kili: dënim i ashpër
Argjentina: mbështetje për veprimin amerikan
BE: Maduro s’ka legjitimitet, por duhet respektuar e drejta ndërkombëtare
MPJ francez: Shkelje e parimeve themelore ndërkombëtare
“Operacioni ushtarak që çoi në kapjen e Nicolas Maduros shkel parimin e mospërdorimit të forcës, i cili është në themel të së drejtës ndërkombëtare.
Franca përsërit se asnjë zgjidhje politike e qëndrueshme nuk mund të imponohet nga jashtë dhe se vetëm vetë populli sovran mund të vendosë për të ardhmen e tij”, shkroi Ministri i Jashtëm Jean-Noel Barrot në X.
Afrika e Jugut kërkon mbledhje urgjente të OKB
“Afrika e Jugut i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të OKB-së, organit të mandatuar për të ruajtur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, që të mblidhet urgjentisht për të adresuar këtë situatë”, thuhet në një deklaratë të departamentit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Afrikës së Jugut.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






