

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vlerësuar procesin zgjedhor të zhvilluar në Kosovë, duke e cilësuar atë si një model që Shqipëria ende nuk e ka arritur.
Berisha deklaroi se nuk e ka ndjekur me shumë vëmendje fushatën zgjedhore, por se ka ndjekur me admirim mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet, të cilat i konsideroi dinjitoze dhe të qytetëruara. Ai përgëzoi fituesin e zgjedhjeve, Albin Kurtin, qytetarët e Kosovës dhe të gjitha forcat politike të përfshira në proces.
“S’kam ndjekur me aq vëmendje fushatën zgjedhore, por kam ndjekur me admirim zhvillimin e zgjedhjeve dhe natyrisht kam përgëzuar fituesin e këtyre zgjedhjeve, Albin Kurtin, qytetarët e Kosovës dhe forcat politike që u angazhuan në një proces zgjedhor dinjitoz e të qytetëruar, që bën krenar çdo shqiptar dhe që Shqipëria nuk e ka,” u shpreh Berisha.
Ai shtoi se nuk dëshiron të komentojë rezultatet konkrete të forcave të tjera politike, por theksoi se Shqipëria duhet të synojë sa më shpejt standarde të ngjashme zgjedhore.
“Uroj që Shqipëria një minutë e më parë të zhvillojë zgjedhje si Kosova,” përfundoi Berisha.
FJALA E PLOTË HYRËSE
Përzemërsisht, gëzuar Vitin e Ri 2026. Le të jetë ky vit, më i miri i jetës suaj, për ju, me të dashurit tuaj, për opozitën shqiptare, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë.
Sot, këtë bisedë me ju dua ta filloj me një përsëhndetje të përzemërt të forcave ushtarake amerikane dhe të qeverisë së SHBA-ve, për vendimin e tyre, për rrëzimin, arrestimin e diktatorit të shëmtuar të Venezuelës, Maduros dhe evakuimin e tij jashtë vendit për t’i bërë gjyqin e merituar.
Largimi i Maduros nga pushteti, këtij diktatori të lidhur me drogën dhe manipulimin e zgjedhjeve, është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë kudo në botë, veçanti për popullin e Venezuelës që vuajti kaq vite nën regjimin e tij.
Por është një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët përjetojnë regjimin e klonit të tij në Shqipëri, të cilat mediat amerikane dhe jo vetëm ato, e kanë quajtur Ramaduro.
Këto zhvillime në Venezuelë janë një inkurajim shumë i madh për opozitën shqiptare për të bërë detyrën e vet, largimin sa më shpejt nga pushteti të një personi, të një diktatori që qëndron mbi votën e grabitur, mbi lidhjet e tij me krimin dhe drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve.
Të dashur miq, sot gjithashtu populli iranian është në rrugë kundër regjimit të ajatollahëve.
Qytete të tëra të Iranit janë përfshirë nga protesta të fuqishme.
Le të urojmë që Ajatollahu dhe suita e tij të kenë sa më shpejt fatin e Maduros.
Viti i ri në Shqipëri nis në një kohë kur në prag të vitit, Edi Rama apo Ramaduro, i shpalli luftë të hapur sistemit të drejtësisë dhe pranoi të gjithë fajësinë e tij.
Cilido që ndoqi monologun tre orësh të tij, kuptoi dy gjëra, se ai pranon të gjitha vjedhjet që u ka bërë shqiptarëve, por në gjuhën oruelliane ato nuk i konsideron vjedhje, i konsideron si veprimtari të ligjshme të tij si kryeministër, ndaj dhe mori në mbrojtje të paskrupullt, të hapur, Lubi Ballukun dhe po aq Mirlindën e AKSHI-t, për të cilën tha se ai kishte respekt maksimal.
Natyrisht njeriu që drejtoi në arkat dhe kontot e familjes Rama qindra milionë euro nuk ka si të mos ketë respektin maksimal nga Rama.
Por ajo që spikati në këtë fjalë dhe që përbën një zhvillim dramatik për vendin është lufta e tij e hapur kundër sistemit të drejtësisë.
Rama u zotua se ai nuk do pranojë vendimet e prokurorisë dhe gjykatave për rrethin e tij familjar, për atë dhe ministrat e tij.
Në këtë kontekst, mbetet pra vetëm zëri i opozitës.
Po shkohet drejt një grushti të plotë shteti, ku pushteti ekzekutiv paralizon dhe merr të gjithë pushtetin e pushtetit gjyqësor.
Atëherë fjalën e ka populli dhe vetëm populli.
Ndaj dhe ne kjo situatë na fton dhe nuk na gjen aspak të papërgatitur.
22 dhjetori provoi se ku ishim dhe ku jemi ne si opozitë, si PD.
22 dhjetori provoi se ne jemi një shumicë politike në Shqipëri, të gatshëm për t’u përballur me Edi Ramën në një betejë përfundimtare për rikthimin e votës së lirë.
Të gjithë të dhënat janë se Edi Rama nuk do pranojë verdiktin e organeve të drejtësisë.
Në këtë mënyrë de facto merr edhe atë pak pushtet që kishte mbetur i pavarur në këtë sistem.
Pra, ai shndërrohet në diktatorin e pushtetit absolut.
Ndaj dhe përgjigja jonë do të jetë absolute ndaj tij.
Kështu që do përgatitemi dhe jemi të përgatitur për protesta të reja të fuqishme nën moton ja vdekje, ja liri.
Dhe ne do fitojmë.
Ne sa herë që kemi përdorur këtë moto kur janë kërcënuar për vdekje këto liri tonat, ne kemi triumfuar.
Ka ndodhur në vitin 1991, 1998, 1999, po ndodh tani në mënyrën më të paimagjinueshme pas 35 vitesh pluralizëm.
Kështu që duke u uruar edhe njëherë vitin e ri, u ftoj të betohemi ne për misionin tonë të ri, largimin e Ramaduros nga pushteti, zgjedhjet e lira, opozita në pushtet.
Rilindja është e vdekur, në vdekje klinike, është një kalbësirë që po kundërmon në mbarë vendin, në Europë dhe në botë.
Edi Rama është një kufomë politike që po kundërmon në Europë dhe në botë.
Na përket ne t’i groposim ato në banesën e turpit të historisë.
PYETJE-PËRGJIGJE
Po afron data 21 Janar. Socialistët u ngritën në një protestë të dhunshme më 21 Janar 2013, me pretendimin se në një përgjim të paligjshëm bëhej fjalë për korrupsion prej 0.7 milionë eurosh, vepër penale që nuk u vërtetua në gjykatë. A nuk kemi të drejtë edhe ne të protestojmë tani kundër narkoqeverisë së Ramës dhe korrupsionit të përsëritur me qindra milionë euro, ashtu si protestoi Rama më 21 Janar 2013?!
Sali Berisha: I nderuar! Edi Rama, siç e thatë ju vetë, narrativën e tij e bazoi fund e krye mbi manipulimin dhe mashtrimin.
Ai mori një video të regjistruar nga tashmë i ndjeri, Dritan Prifti tek bisedonte me ish-zv/kryeministrin Ilir Meta, ku ky i fundit i thoshte se kompania e Ymer Toles, i shkruante atij se dëmi i krijuar nga mos zbatimi i vendimit të gjykatës nga ministri Prifti, për ndërmarrjen e tij është 700 mijë euro.
Dhe këtë fjalë 700 mijë euro, Edi Rama me Filip Çakullin e manipuluan, pre dhe ngjit regjistrimin dhe e paraqitën sikur i fliste për një rryfshet që nuk ndodhi kurrë.
Kurse sot 700 mijë euro janë mijëra herë më shumë të vjedhura, të dokumentuara me dokumente zyrtare, me firma, me vula nga Edi Rama, ministrat e tij, familjarët e tij.
Por mbi të gjitha zgjedhjet e 2009, sipas OSBE-ODIHR ishin zgjedhjet që plotësuan kriteret kryesore të OSBE-ODIHR të zgjedhjeve të drejta. Ishin zgjedhje të cilat u dhanë shqiptarëve qeveri legjitime.
Kurse zgjedhjet e 11 majit 2025, ishin një farsë e vërtetë elektorale. Të gjitha këto përbëjnë motive ligjore, kombëtare dhe ndërkombëtare që opozita shqiptare të mobilizohet me gjithë forcën për rrëzimin dhe largimin e këtij pushteti, krijimin e një qeverie teknike dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja.
Në Kosovë, Albin Kurti fitoi për të tretën herë radhazi zgjedhjet e përgjithshme. A keni ju ndonjë koment dhe mendoni se u penalizua opozita e Kosovës (kryesisht PDK-ja), pasi u ofroi si model qeverisjeje qytetarëve të Kosovës modelin Rama?
Sali Berisha: Nuk e kam ndjekur me aq vëmendjen fushatën zgjedhore, por kam ndjekur me admirim zhvillimin e zgjedhjeve dhe natyrisht kam përgëzuar fituesin e këtyre zgjedhjeve, Albin Kurti dhe qytetarët e Kosovës dhe forcat politike që u angazhuan në një proces zgjedhor dinjitoz të qytetëruar, që bën krenar çdo shqiptar dhe që Shqipëria nuk e ka.
Ndaj dhe duke mos marrë përsipër të komentoj rezultate konkrete të forcave të tjera politike. Uroj që Shqipëria një minutë e më parë të zhvillojë zgjedhje si Kosova.
Diaspora Shqiptare: Kur do të fillojnë protestat pa u larguar nga sheshi, jo si herën e fundit, sepse njerëzit janë lodhur? Dhe kur do të mbahen zgjedhjet në Partinë Demokratike?
Sali Berisha: Protesta e vazhdueshme do të fillojë pa asnjë diskutim dhe është rruga e vetme për tu ndarë nga ky regjim.
Por ne po ndjekim situatën dhe ua themi me bindje të plotë që rrugë tjetër të sigurtë nuk ka, për largimin e kësaj qeverie, përveç protestës së vazhdueshme. Dhe ju falënderoj shumë për konceptin e qartë që keni dhe dëshirën që shprehni.
Arrestimi i Nikolas Maduros dhe fakti që mediat e mëdha amerikane e kanë etiketuar Edi Ramën si Ramaduro i Europës në vitin 2025. A është sipas jush një sinjal i qartë se lufta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundër narko shteteve e intensifikuar nën administratën e presidentit Trump do të ketë pasoja direkte edhe për regjimin e Edi Ramës në Shqipëri?
Sali Berisha: Pa asnjë diskutim që do ketë pasoja direkte për të gjithë narko-diktatorët në botë, përfshi Shqipërinë. Por kjo kërkon mbi të gjitha, për të pasur efektin e plotë, që shqiptarët të ngrihen kundër narko-diktatorit të tyre, të ngrenë zërin fuqishëm dhe i kam bindjen më të madhe se mbështetja ndërkombëtare do të jetë e plotë për opozitën shqiptare.
Keni një plan për ngritjen e strukturave të Partisë Demokratike nëpër rrethe, sepse asgjë nuk ekziston. Degët janë pa kryetarë dhe të kyçura më 11 prill.
Sali Berisha: Pak më ndryshe është situata, ta dini ju, domethënë po ju informoj se ne në të gjitha qarqet, prej një muaji punojnë koordinatorët dhe vazhdojnë edhe takimet, edhe analizat, edhe mbledhjet. Por jam plotësisht dakord me ty që një punë më të madhe duhet të bëjmë për riorganizimin e Partisë Demokratike, dhe ju siguroj se do të bëhet.
Nuk do ketë asgjë që mund të na pengojë ne për një riorganizim, ripërtëritje të fortë të kësaj partie. E kam theksuar dhe theksoj, në qoftë se ju më shtroni pyetjen, ku do jetë përqendrimi më i madh i Partisë Demokratike, i demokratëve, i drejtuesve të Partisë Demokratike do të jetë tek partia, riorganizimi, identifikimi i saj.
Kur do zgjohet tamam opozita? Cili është plani, i cili zgjon opozitarët? Mos harroni, jemi në 2026. Nuk jemi akoma në 2005-2013.
Sali Berisha: Pyetja është e drejtë, vetëm se do kërkoja mirëkuptimin tuaj me një ndryshim themelor midis 2005-2013 dhe këtyre viteve. 2005-2013, Shqipëria ishte një vend demokratik, ku pluralizmi funksiononte dhe nuk kishte burgosje politike, ku zgjedhjet nuk ishin farsë, por zgjedhjet u zhvilluan dhe në vitin 2009 edhe në 2013, zgjedhjet ishin të standardeve ndërkombëtare.
Kurse sot, Shqipëria është në një narkodiktaturë në të cilën, siç thonë 7 rezoluta ndërkombëtare, institucionet përdoren për të shtypur pluralizmin. Sigurisht që, ne do ngrihemi dhe po ngrihemi. Ne filluam betejën tonë dhe kjo betejë nuk ka të ndalur, ju siguroj që nuk ka të ndalur gjer në përmbysjen e këtij regjimi. Kjo është betejë, të themi të vërtetën, për jetën ose vdekjen e opozitës së vërtetë.
Një opozitë në narko-diktaturë nuk mund të qëndrojë si stoli e regjimit. Ajo ka vetëm një mision, përmbysjen e regjimit, i cili nuk ikën me votë. E faktuan që nuk ikën me votë.
Çfarë do bëhet me ato 300 apartamentet e Ballukut? A do paguajnë ndonjëherë këta, apo ato dhe ata që ato që kanë bërë? Ju përshëndes.
Sali Berisha: Ju falënderoj shumë për pyetjen. Një nga problemet më madhore sot është moszbatimi i ligjit Antimafia.
Në qoftë se në Shqipëri janë miliarda euro të organizatave kriminale dhe të organizatës kriminale Rilindja, të qeverisë, të investuara, sot janë gjithsej 60 milionë të sekuestruara.
Ju garantoj se do bëhet gjithçka për zbatimin me zero tolerancë të ligjit Antimafia dhe të gjitha asetet do t’i kalojnë shqiptarëve, popullit shqiptar, shoqërisë shqiptare.
Rama deklaroi se nuk do të ketë qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme, pasi ka 83 mandate. Cili është mekanizmi ligjor veç protestave masive që zgjidh çështjen e imunitetit të Ballukut dhe më pas edhe Ramës, në rast se ai vendos të mos i dorëzohet drejtësisë, siç po bën me Ballukun?
Sali Berisha: Me keqardhje duhet t’ju përgjigjem se nuk ekziston absolutisht asnjë mekanizëm tjetër përveç protestës. Sepse siç e patë ju, Rama edhe pezullimin e anuloi nëpërmjet gjykatës politike kushtetuese apo organizatës së Partisë Socialiste.
Kështu që, Rama nuk do i heqë imunitetin as të vetes, as Lubi Ballukut. Rama dha mesazhe shumë të qarta. Madje ai kërkoi deputetëve të tij që të përzënë nga mbledhja prokurorët për Lubi Ballukun. Mos harroni që ky armik i votës së lirë, s’po hyj t’i jap shumë epitete të tjera, është pasardhës i një njeriu që ka firmosur varjen e kundërshtarit politik.
Në rastin e Sali Berishës, procedurën e ka kryer brenda dy orëve, ndonëse prokurorët politikë nuk sollën fare dosje, po sollën pretendimin se ka kundërshtuar vendimin e gjykatës.
Ky tani, që e ka të qartë si drita e diellit se dosja Balluku është dosja Rama.
Se dosja Balluku në tunelin e Llogarasë është dosja Rama.
Se dosja Balluku në aeroportin e Vlorës është dosja Rama.
Se dosja Balluku në unazën e Tiranës, 13 km të ndarë në 14 tendera është dosja Rama.
Se dosja Rama është dosja më e madhe, më e tmerrshme.
E ka shumë të qartë se dosja se dosja e inceneratorit të Tiranës është dosja Rama, para së gjithash. Se sterilizatorët dhe check-up-i janë dosja Rama para së gjithash.
Ky e di këtë punë. Ndaj dhe ky s’do pranojë kurrë, kurrë të zbatojë urdhrat e prokurorisë dhe gjykatave. Kështu që varet nga ne. Do pranojmë ne një diktaturë të plotë ku nuk ka më asnjë lloj shprese, përveçse një njeri që do përcaktojë fatin tonë? Apo do ngrihemi në një betejë përfundimtare kundër tij.
Prej 1 janarit, qytetarët e Moldavisë dhe të Ukrainës nuk paguajnë më roaming në Bashkimin Europian, ndërkohë që shqiptarët vazhdojnë të paguajnë tarifa abuzive për telefoninë celulare brenda dhe jashtë vendit. A është ky një monopol i pastër, i mbrojtur nga qeveria Rama dhe çfarë do të bëjë Partia Demokratike për t’i dhënë fund kësaj grabitjeje të përditshme ndaj qytetarëve?
Sali Berisha: Sigurisht që ne do të bëjmë gjithçka për të patur të njëjtin standard me Bashkimin Europian, përsa i përket roaming-ut. Ne, në rast se ju kujtohet, dikur i gjetëm çmimet e telefonisë celulare: më bëj një zile thoshte ai tjetri, s’fliste dot dhe i ulëm pesë herë. Të njëjtën gjë do bëjmë dhe tani me roaming-un.
Maduro iku, Ramaduro shpejt e ka radhën, por çfarë është kjo Lea Ypi që na e kanë nxjerrë këto portale këto ditë, dy ditë me radhë, për kryeministre e qeverisë teknike. A jeni ju në dijeni doktor?
Sali Berisha: I kam lexuar, po unë nuk mund të bëj një koment. Ajo është një shkrimtare e cila është bërë e njohur me veprat e saj. Nuk kam asnjë dijeni se çfarë pretendimesh ka.
Por qeveria teknike do të jetë një qeveri e cila besohet nga të gjitha palët dhe mbështetet nga të gjitha palët.
Si mund ta detyroni ju Edi Ramën të pranojë zgjedhje të parakohshme dhe qeveri teknike? Ai ka 83 mandate të fituara dhe në çdo përballje, qoftë me opozitën dhe me drejtësinë, ai thotë se kam 83 mandate. Ai nuk pranon as heqjen e mandatit të Ballukut, jo të heqë 83 mandate.
Sali Berisha: Sheshi dhe vetëm sheshi është zgjidhja, dhe jam dakord me ju, analiza juaj është e saktë. Ai nuk pranon sepse e di që çdo gjë shkon drejt tij. Sepse e di që dosja Balluku është dosja Rama.
Sepse e di që dosja AKSHI është dosja Rama.
Ai prandaj i thuri lozhe, elozhe dhe korte Mirlindës së AKSHI-t, sepse ajo i ka dërguar nëpërmjet tenderave të manipuluar qindra milionë euro familjes Rama.
Ai e di që Gerond Meçe u mor peng në mënyrë që kunati të fitojë qindra milionë.
E di se Daniel Shima është marrë peng, pikërisht sepse kunati është patroni i vërtetë i AKSHI-t, i kopshtit privat të familjes. Kështu që, ai nuk pranon kurrsesi të zbatojë vendimet e drejtësisë.
I përket popullit, ose të pranojë diktaturën e plotë të tij, ose të ngrihet dhe ta rrëzojë atë.
A duhet të bashkërenduar axhenda e protestave me lëvizjen Shqipëria Bëhet, meqenëse janë numër i konsiderueshëm njerëzish dhe kanë qëllim kryesor të përbashkët largimin e Ballukut?
Sali Berisha: Së shpejti, ne do organizojmë një tryezë të përbashkët me forca politike dhe faktorë të tjerë të shoqërisë shqiptare, pikërisht për të krijuar një front sa më të gjerë të përbashkët në këtë betejë vendimtare për fatin e demokracisë në Shqipëri kundër Edi Ramës.
Në Shqipëri duket se janë vjedhur miliarda. Si do bëni t’i rimerrni këto miliarda nga këta hajdutë?
Sali Berisha: Do bëhet gjithçka për zbatimin e ligjit antimafia dhe ligjit kundër korrupsionit. Ju garantoj që do përpiqemi të zbatojmë standardet më të mira, më të forta që bëjnë të mundur që këto pasuri të shndërrohen në pasuri për publikun shqiptar.
Si e vlerësoni gjendjen dramatike të sigurisë rrugore dhe transportit publik në Shqipëri? Tirana është i vetmi kryeqytet në rajon pa tren për pasagjerë, pa stacion treni, pa tram apo metro, me trafik dhe parkim kriminal. Qytetarët paguajnë 100-200,000 lekë në muaj vetëm për parkim, ndërsa në Paris me 80-90 euro udhëton pa limit gjithë muajin me transportet publike. Nafta në Shqipëri kushton 1.8 euro për litër, në Kosovë 1.2 euro për litër. Ne po vidhemi çdo ditë nga kjo qeveri. Çfarë alternative konkrete ofron Partia Demokratike për këto halle jetike që po varfërojnë qytetarët çdo ditë?
Sali Berisha: Pyetje shumë e drejtë. Dhe ju uroj gëzuar Vitin e Ri. Përgjigja këtu do të jetë decizive vendimtare. Për transportin, për infrastrukturën, për sigurinë rrugore. Po ju rikujtoj vetëm një moment. Se ju me të drejtë dhe çdo njeri që na dëgjon thotë, ku do gjenden paratë.
Sot për sot, sipas Bankës Botërore, 90% e parave që thuhet se po investohen, nuk investohen, por zhduken. Shkojnë edhe 98%, shkojnë dhe 100% këto. Ndaj dhe ne taksat e qytetarëve do t’i përdorim për të garantuar shërbimet ndaj tyre. Transporti është një nga shërbimet më kryesore. Dhe ne garantojmë, një, do të garantojmë një transport njëlloj si vendet e tjera, një transport normal, në një jetë normale.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët që zgjati katër orë, Edi Rama nuk u pyet asnjëherë për Agasin. Si e shpjegoni këtë heshtje totale? A ka qenë Agasi ai që realisht ka qeverisur Shqipërinë këto katër vitet e fundit? Kurse për Ballukun, Rama e tha hapur doktor. Rasti i Ballukut, tha, ndryshon nga të tjerat sepse kërkesa ka ardhur tek ne. A nënkupton kjo se SPAK ka filluar të godasë Ramën dhe rrethin e tij të ngushtë?
Sali Berisha: Tani, lidhur me Agaçion, Don Agaçion, ‘Dhuratë Madhi’, siç e dini unë e kam quajtur vite më parë Don Agaçio Dhuratë Madhi.
Është një super-mafioz i urryer, i cili ka duart e tij të zeza në të gjitha proceset mafioze, përdorimin e drejtësisë për qëllime mafioze, në të, të gjitha, që nga sipërmarrja e naftës dhe dhjetëra të tjera. Asgjë nuk e shpëton Don Agaçion nga veprimi i ligjit.
Por natyrisht, bosi i Don Agaçios është Edi Rama, këtë s’duhet ta harrojmë, se në tërësi ai ka vepruar me porosi dhe me urdhër të Edi Ramës.
Edi Rama e ka kuptuar se në fakt kërkesat për Ballukun janë kërkesa për Edi Ramën. Ndaj dhe ai, i vendosur të bëjë kamikazë, ose të vendosë diktaturën e plotë, ose të ngrejë popullin në këmbë të revoltuar për t’i dhënë përgjigjen që meriton.
Keni ndryshuar qëndrim në raport me SPAK dhe cili është komenti juaj për hetimet e hapura së fundmi, Balluku, Agasi e të tjerë?
Sali Berisha: Si njeri që kam jetuar në dy diktatura, nuk mund të ndryshoj konceptet për drejtësinë unë, në ç’kuptim. Në qoftë se kthehemi në diktaturën e parë, prokurorët e asaj diktature kërkonin dënim me vdekje jo vetëm për kundërshtarë, jo vetëm për hajdutët, për vrasësit, por edhe për kundërshtarët politikë të regjimit.
Për ta kuptuar edhe më qartë këtë, në rast se marrim sot dhe studiojmë cili është vendi që dënon me masat më të rrepta korrupsionin në botë, mendoj se mund të jetë Kina. Ndoshta është një nga vendet që dënon me masat më të rrepta korrupsionin, por dënon po me këto masa kundërshtarët politikë.
Është një gabim i tmerrshëm të justifikosh përdorimin e drejtësisë për shtypjen e pluralizmit politik, de facto asgjësimin e demokracisë, me masat kundër korrupsionit që merr ajo. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që ti je gati të japësh lirinë tënde si çmim, dhe kurrë s’duhet ta pranosh këtë, as unë dhe asnjëri. Ne mbështesim dhe do mbështesim çdo prokuror, gjykatës që zbaton ligjin dhe vetëm ligjin.
Po të jap vetëm një shembull për këtë që të thashë. Në rast se merr aktakuzë ndaj Sali Berishës, ata prokurorë, Altin Dumani, Arben Kraja dhe Millonai, shkruajnë në aktakuzë sa vijon: Në vitin ’92, thonë ata, i pandehuri Sali Berisha, ishte president dhe u bënë privatizimet e apartamenteve, nga të cilat përfituan edhe Argita Malltezi si vajzë e familjes së tij, në apartamentin e tij, dhe Jamarbër Malltezi tek i ati. Dhe këtë e servirin në akuzën e tyre, pra, në një proces ku përfituan 220.000 familje shqiptare, përfshi ish-presidentin e vendit, Sali Berisha, që kishte një apartament, tre dhoma e një kuzhinë.
Pse e dhashë këtë shembull? E dhashë këtë shembull, si shembulli më tipik i përdorimit të drejtësisë për qëllime politike. Po ata që mendojnë se mund të përdorin luftën kundër korrupsionit si mburojë për luftën politike, ata gabojnë rëndë shumë dhe i bëjnë vendit një dëm të tmerrshëm, të jashtëzakonshëm. Drejtësia nuk duhet të jetë politike. Nuk ka asnjë lider opozitar që të ketë imunitet ndaj drejtësisë. Por, por, kur ti arreston pa akuzë, po vetëm si person në hetim, vitin elektoral, liderët e dy partive kryesore opozitare, kjo dëshmon se ti bën gjithçka për të marrë zgjedhjet.
Dhe kjo është drejtësi të ndajë dhe ju, miqtë e mi, asnjëri nuk duhet të gabojë. Është fatal ky gabim. Nuk shitet pluralizmi, se ke shitur lirinë. Po. Çdo lider është përgjegjës para ligjit. Po kur bëhet në vitin elektoral pa akuzë, kur vihet në arrest pa akuzë, po vetëm si person në hetim, kjo tregon sulm të mirëfilltë politik dhe përdorim politik të drejtësisë.
Tani t’ju pyes unë ju, çfarë qëndrimi duhet të mbaj unë? Unë nuk mbaj qëndrim për veten time. Qëndrimi im ka të bëjë me lirinë tuaj. Ka të bëjë me lirinë e çdo qytetari shqiptar. Jo për Sali Berishën. S’mund të pranoj kurrë një drejtësi që përdoret për të shtypur pluralizmin.
Pyetje për konfiskimin e monopatinave. Cili është plani i Partisë Demokratike për monopatinat, të cilat janë pezulluar dhe mijëra shqiptarëve u janë sekuestruar?
Sali Berisha: Është veprim absurd. Njëlloj siç u veprua me Tik Tok-un, veprohet me monopatinën sot, nesër u merret diçka tjetër. Është një dhunim i pronës dhe të drejtave të lëvizjes së qytetarëve shqiptarë.
Ne po e shohim që ndërkombëtarët ia kanë prerë biletën këtij palloshit të gjatë, por mendoj se duhet të hedhim sytë edhe pak nga vetja. A jemi ne atraktivë për ndërkombëtarët, se si të fjetur më duken në raport me opozitën?
Sali Berisha: Të përshëndes dhe të falënderoj. Së pari të garantoj që Palloshi i Gjatë qëndron edhe 12 vite në pushtet, në qoftë se e lejojmë ne. Nuk duhet të gënjejmë veten. Qëndrimi ose mosqëndrimi i Palloshit të Gjatë në pushtet përcaktohet nga reagimi ynë si opozitë. Do ngrihemi ne, do kemi mbështetjen më të madhe.
Së dyti, vijmë tek opozita dhe ndërkombëtarët.
Sot opozita shqiptare ka mbështetjen më të madhe se kurrë në historinë e saj. Nga kush? Nga të gjitha forcat politike të qendrës së djathtë në botë. Kurrë ndonjëherë, që nga themelimi i saj, kjo parti politike nuk ka parë, nuk ka arritur të ketë 7 rezoluta, nga tetori i vitit 2024 gjer në 5 dhjetor të 2025.
7 rezoluta ndërkombëtare të firmosura nga partitë më të mëdha Partia Republikane e Shteteve të Bashkuara, CDU-ja e Gjermanisë, partitë më të mëdha të këtij spektri në botë. Kurrë. Të cilat sanksionojnë dënimin e farsës elektorale të Edi Ramës, përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e Edi Ramës, sanksionojnë përdorimin e drejtësisë si armë politike kundër pluralizmit dhe opozitës. Sanksionojnë lidhjet e Edi Ramës me krimin dhe narkoshtetin.
Pra, opozita nuk është qeveri, por opozita ka sot solidaritetin më të madh në historinë e saj nga të gjitha forcat politike simotra në botë. Na përket ne që këtë mbështetje ta kapitalizojmë me lëvizje të fuqishme, të ngrihemi, sepse ato rezoluta nga ana tjetër janë një thirrje për çdo opozitare dhe opozitar të ngrihet kundër këtij regjimi.
Ju kemi kërkuar që para katër muajsh një propozim tonin përsa i përket riorganizimit të Partisë Demokratike në Itali. Propozuam që organizimi të bëhet në rang rajoni, në mënyrë që të kapim kohën e humbur dhe të mbulojmë çdo rajon dhe qytet në Itali. A do bëhemi të përgjegjshëm se veç me rezistencë në shesh që mund ta fillojmë ne qëndrestarët, bie kjo mafie nga pushteti i krimit, ndryshe ky nuk luan nga aty se fytyrë dhe ligj nuk ka.
Sali Berisha: Absolutisht, keni të drejtë dhe ajo do të ndodhë. Jemi plotësisht dakord me atë skemë dhe ajo skemë do vendoset. Sipas rajoneve do ngrihen degët e Partisë Demokratike. Ky është qëndrimi ynë.
Cili është plani juaj për patronazhistët?
Sali Berisha: Patronazhist është një vepër e rëndë. Ata që kanë kryer këtë detyrë, do të bëhen përgjegjës para ligjit, të cilët sot i aministon Altin Troplini.
Kam një lajm këtu të mirë për ju. Përsëri, një gjykatës i ndershëm dhe guximtar çoi për gjykim, ndonëse prokurori hoqi dorë nga çështja e aktivistëve, por një gjykatës urdhëroi të hetohet çështja.
Pra, të dalin para ligjit. Kështu që, ata të cilët kanë luajtur rolin e policisë politike të votës, ata kanë kryer krim elektoral.
Të rinjtë vijojnë të ikin sepse nuk gjejnë dot një zgjidhje në vendin e tyre. Sot përcolla një mikun tim inxhinier dhe thuajse e gjithë Shqipëria ime ka emigruar. Keni ndonjë thirrje për të rinjtë e këtij vendi dhe ka mbetur ndonjë fije shprese që të na mbajë në këtë vend, ku nuk blejmë dot një shtëpi për veten dhe fëmijët?
Sali Berisha: Pa diskutim që plani ynë kryesor do të jenë të rinjtë, krijimi i mundësive për ta për të ndërtuar ëndrrën e tyre në Shqipëri, jetën e tyre në Shqipëri. Kjo kërkon që të gjithë ne këtu të angazhohemi për largimin e Edi Ramës. Nuk ishte kjo situatë para vitit 2013. Referojuni të dhënave të Institutit të Statistikave.
Në Shqipëri, nga viti 2007 në vitin 2014, numri i popullatës u rrit nga viti në vit. Kurse nga viti 2014 gjer sot, vetëm të rinj kanë emigruar 720.000. Shqipëria është boshatisur.
A keni dijeni për manipulimin e provave të dosjes së Ballukut dhe dosjes së Agacit nga vetë Edi Rama? Dhe nëse manipulohen dosjet dhe vihen në presion prokurorët, çfarë do të bëjë opozita për faktet që janë në dosje dhe burgimin e këtyre hajdutëve?
Sali Berisha: Opozita mbështet zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës. Është shumë e vërtetë që Lubi Balluku dhe Edi Rama po bëjnë gjithçka për të manipuluar dosjet dhe për të intimiduar dëshmitarët. Ndaj dhe largimi i Edi Ramës nga pushteti është kushti i të gjitha kushteve për të patur, për të funksionuar shteti ligjor në Shqipëri.
Ju jeni dhe e keni treguar se jeni ekzemplar në rikompozimin e qeverisë dhe të partisë duke shpërndarë e përfshirë të gjithë faktorët dhe aktorët fetarë, përfaqësim njerëzor e shpërndarje territoriale, gjë që nuk është momentalisht në strukturat drejtuese. Cila është arsyeja që nuk e keni zbatuar në strukturat qendrore drejtuese aktuale të Partisë Demokratike?
Sali Berisha: Ka patur një historik për të cilin është e panevojshme tani të hyj në analizën e tij, sepse u arkivua.
Por ju garantoj se mbetem shumë i ndjeshëm ndaj të gjithë atyre faktorëve që ju thoni.
Unë jam një opozitare antikomuniste. Opozita duhet të angazhohet me protesta tek SPAK-u dhe në Europë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që SPAK-u të hetojë dosjet e korrupsionit në Shqipëri.
Sali Berisha: Jam dakord me ju që duhen protesta, por mendoj se protestat duhet të jenë për Edi Ramën dhe vetëm dhe kryesisht për Edi Ramën, sepse është Edi Rama ai që bllokon, përdor mandatet e vjedhura dhe të rrëmbyera të qytetarëve shqiptarë për të bllokuar drejtësinë.
Dhe koha po shkon drejt një përballje shumë të fuqishme, të cilën opozita duhet të jetë e gatshme.
Ku e pritët Vitin e Ri 2026 dhe cila është pija juaj e preferuar në festa, pasi e kam dëgjuar se jeni një degustues i mirë pijesh?
Sali Berisha: Faleminderit për pyetjen. Unë Vitin e Ri e bëj gjithmonë në shtëpi, në familje. Nuk kam bërë ndonjëherë jashtë familjes.
Pija ime e preferuar e Vitit të Ri është ajo e përditshmja. Unë përdor një gotë verë në ditë, daton prej ’90, ndoshta me martesën dhe para martesës, dhe kjo është pija ime, një gotë verë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






