Transmetuar më 03-01-2026, 11:45

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë kapur nga njësia elitare amerikane Delta Force, kanë deklaruar burime zyrtare për CBS News.

Sipas CBS, operacioni është kryer nga Delta Force, njësia më elitare e ushtrisë amerikane për operacione kundër terrorizmit dhe misione speciale me rrezik të lartë. Detaje të tjera mbi vendndodhjen dhe mënyrën e kapjes nuk janë bërë ende publike.

Pas kësaj, Ministri i Mbrojtjes i Venezuelës, Vladimir Padrino López, ka deklaruar se sulmet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara kanë goditur zona urbane në disa pjesë të vendit, duke përdorur raketa dhe predha të lëshuara nga helikopterë luftarakë amerikanë.

Në një deklaratë zyrtare, López tha se autoritetet venezueliane janë ende duke mbledhur informacion për numrin e viktimave dhe të plagosurve, ndërsa konfirmoi se instalacioni ushtarak Fort Tiuna në Karakas, ku ndodhet edhe Ministria e Mbrojtjes, ka qenë një nga objektivat e sulmit.

Ministri theksoi se Venezuela nuk do të pranojë praninë e trupave të huaja në territorin e saj dhe se vendi është i vendosur të reagojë.

“Ky pushtim përfaqëson fyerjen më të madhe që ka përjetuar ndonjëherë vendi,” deklaroi Padrino López, duke shtuar se forcat e armatosura do të mbrojnë sovranitetin kombëtar.

Më herët, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi në rrjetin e tij Truth Social se Shtetet e Bashkuara kanë kryer një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe se gjatë këtij operacioni është “kapur udhëheqësi i vendit, Presidenti Nicolás Maduro”, së bashku me bashkëshorten e tij, të cilët janë nxjerrë jashtë Venezuelës.

“Operacioni u krye në bashkëpunim me forcat ligjzbatuese amerikane. Detaje të mëtejshme do të pasojnë,” shkroi Trump.

Ai njoftoi gjithashtu se do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 11:00, në rezidencën e tij Mar-a-Lago, ku pritet të japë më shumë informacion mbi operacionin.

Deri në këto momente, autoritetet venezueliane nuk kanë reaguar zyrtarisht.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit