Transmetuar më 03-01-2026, 10:21

Vlorë | Konflikt me armë pranë një lokali, policia shmang një krim me pasoja për jetën

Një ngjarje e rëndë kriminale u parandalua mbrëmjen e kaluar në Vlorë, pasi një konflikt i dhunshëm pranë një lokali degjeneroi deri në përdorimin e armës së zjarrit, duke rrezikuar seriozisht jetën e personave të pranishëm.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit se në ambientet e jashtme të një lokali në lagjen “Uji i Ftohtë” disa persona po konfliktoheshin dhe se njëri prej tyre ishte i armatosur.

Si rezultat i ndërhyrjes së shpejtë, u arrestuan në flagrancë dy shtetas:

Arbri Hysaj, 19 vjeç, banues në Vlorë

Mauricio Alushaj, 25 vjeç, banues në Orikum

Nga veprimet hetimore rezultoi se gjatë një konflikti fizik mes dy të arrestuarve dhe disa personave të tjerë, Mauricio Alushaj ka marrë armën e zjarrit pistoletë nga shoku i tij Arbri Hysaj dhe ka qëlluar një herë në ajër, duke shkaktuar panik dhe rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve.

Falë reagimit të menjëhershëm të patrullës së Policisë, u bë e mundur neutralizimi i situatës përpara se ngjarja të përshkallëzohej më tej, si dhe u gjet dhe u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë, në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale:

“Prishja e qetësisë publike”

“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të konfliktit dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje që rrezikoi jetën e qytetarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit