

Dy persona kanë humbur jetën pasditen e sotme në një aksident të rëndë trafiku në rrugën rajonale Mavrovë–Dibër, njoftoi policia maqedonase.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 15:50, në stacionin e policisë Gostivar është raportuar se një automjet pasagjerësh “Volkswagen Bora” me targa të Gostivarit, në pronësi të shtetasit A.F. nga Gostivari, ka humbur kontrollin gjatë lëvizjes dhe ka përfunduar në lumin Radika.
Si pasojë e aksidentit, shoferi dhe një pasagjer që ndodheshin në mjet kanë humbur jetën në vendngjarje.
"Në aksident kanë vdekur A.F. dhe M.F. nga fshati Vidusë i Gostivarit", tha policia lokale.
Autoritetet bëjnë me dije se nga ora 18:30, qarkullimi në rrugën rajonale Mavrovë–Dibër është ndërprerë përkohësisht, për shkak të operacionit për nxjerrjen e automjetit nga lumi.
Mjeti i aksidentuar ndodhet në afërsi të manastirit “Shën Jovan Bigorski”, ndërsa në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet policore dhe ekipet e emergjencës.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit tragjik.
Gostivari është zonë e populluar kryesisht nga shqiptarët.
Rruga është bllokuar
“Që nga ora 18:30, trafiku në rrugën rajonale Mavrovë-Dibër është ndërprerë për shkak të nxjerrjes së një automjeti pasagjerësh nga një aksident trafiku ku përfshiheshin persona të vdekur nga ujërat e lumit Radika pranë Manastirit të Shën Jovan Bigorskit”, thuhet në njoftimin e policisë maqedonase.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






