Transmetuar më 02-01-2026, 20:26

Tiranë- Vendi ynë është përfshirë prej ditës së sotme nga reshjet e shiut, të cilat pritet të vijojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, përveç shiut, në zonat malore do të ketë edhe reshje dëbore.

IGJEO paralajmëron gjithashtu për përmbytje në qarqet e Vlorës dhe Kukësit.

Parashikimi i rrezikut nga përmbytjet

Sot pasdite (e premte, 02 janar) dhe nesër (e shtunë, 03 janar) priten reshje me intensitet të lartë, kryesisht në veri dhe qendër të vendit. Në qarqet Shkodër dhe Kukës, gjatë ditës së nesërme mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash. Në zonat urbane të këtyre qarqeve mund të shfaqen përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.

“Sipas llogaritjeve të IGJEO përgjatë datave (3 -7 Janar 2026) priten reshje intensive, kryesisht në veri dhe jug të vendit. Këto reshje do të sjellin rritje të rrezikshme të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Drin-Buna, Liqeni Shkodrës, lumi Mat, Shkumbin dhe Vjosë.”, thuhet në njoftimin e IGJEO-s.

Nesër (e shtunë, 03 janar) priten temperaturat minimale dhe maksimale:

Bregdet: 10 / 16 °C

Vendet e ulëta: 7 / 15 °C

Vendet malore: 3 / 11 °C

Dëborë në Malet e Vlorës

Në veçanti, në zonat malore të qarkut të Vlorës, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, priten reshje dëbore gjatë periudhës 2 – 5 janar 2026, me intensitet më të lartë më datë 5 janar.

“Sipas parashikimit 5-ditor të motit të ardhur nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) pranë Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, në periudhën 2 – 5 Janar 2026 parashikohen reshje shiu në të gjithë territorin e vendit, ndërsa më datë 05 Janar 2026 reshje të dendura pritet të përfshijnë edhe Qarkun e Vlorës.

Në zonat malore të qarkut, në lartësitë mbi 600 metra mbi nivelin e detit, parashikohen edhe reshje dëbore.”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Kështu, IGJEO paralajmëron se si pasojë e reshjeve të dendura dhe rritjes së prurjeve në lumenj ekziston rreziku për: vërshime uji në zona urbane dhe rurale, probleme në sistemet e kanalizimeve, si dhe përmbytje të përkohshme në zona me risk.

Strukturat e mbrojtjes civile në Qarkun Vlorë kanë nisur marrjen e masave paraprake për të parandaluar dhe minimizuar pasojat e motit të keq.

Masat përfshijnë:

-Njoftimin e bizneseve që ndodhen në zona me risk për përmbytje;

-Njoftimin e blegtorëve pranë lumenjve dhe zonave të ulëta për zhvendosjen e bagëtive në zona të sigurta;

-Informimin përmes mediave lokale për të shmangur qëndrimin në zona të rrezikuara dhe për të siguruar ushqimet dhe bagëtitë në lartësi të sigurta;

-Kontrollin dhe zhbllokimin e kanaleve kulluese, pusetave dhe nënkalimeve në zonat urbane;

-Mbajtjen në gatishmëri të hidrovorëve dhe funksionimin e pandërprerë të sistemeve të ujësjellës-kanalizimeve;

-Sigurimin e furnizimit me energji elektrike në zonat me risk.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit