

Tregu i veshjeve të përdorura, i njohur ndryshe si tregu i “veshjeve të Gabit”, po shfaq shenja të qarta tkurrjeje, si në sasi ashtu edhe në vlerë, sipas të dhënave zyrtare të Doganave.
Në periudhën janar–gusht 2025, importet e veshjeve të përdorura arritën rreth 4,630 tonë, duke shënuar një rënie prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Në terma vlerash, importet kapën 4.9 milionë euro, ose 5% më pak se në janar–gusht të vitit paraardhës.
Nga një treg që në vitet 2015–2016 gjeneronte importe me vlerë deri në 20 milionë euro, gjatë pesë viteve të fundit importet e veshjeve të përdorura nuk kanë kaluar pragun e 10 milionë eurove në vit. Të dhënat tregojnë një tkurrje të vazhdueshme të këtij segmenti, pavarësisht shtimit të dyqaneve të vogla që tregtojnë këto produkte, veçanërisht në Tiranë.
Rënia më e fortë u regjistrua në vitin 2020, kur importet zbritën në 8.6 milionë euro, si pasojë e kufizimeve të pandemisë Covid-19. Në vitin 2021 pati një rimëkëmbje të përkohshme, me importe që arritën 10.5 milionë euro, ose 22% më shumë se një vit më parë. Megjithatë, vitet pasuese rikthyen tendencën rënëse dhe në 2024 importet u ulën sërish në 8.6 milionë euro, rreth 7% më pak krahasuar me vitin 2023.
Në kryeqytet, dyqanet e veshjeve të përdorura janë të shumta dhe ky treg ka pësuar një transformim të dukshëm vitet e fundit, duke kaluar nga shitja në tezgë në hapësira të strukturuara dyqanesh, ku produktet ekspozohen më mirë dhe me kushte më të favorshme për klientët.
Shtimi i dyqaneve të vogla është nxitur edhe nga kostoja relativisht e ulët e hyrjes në këtë biznes. Veshjet e kategorisë së parë, të njohura si “dorë e parë”, blihen me çmime rreth 1,000 lekë për kilogram, ndërsa ato të kategorisë së dytë me çmime nga 650 deri në 700 lekë për kilogram. Në tregun me pakicë, një copë veshje shitet zakonisht me çmime mbi 2,000 lekë.
Zamira Rreshka, e cila prej 15 vitesh operon në tregtimin e veshjeve të përdorura me dyqan në Tiranë, shprehet se investimi fillestar për këtë biznes është relativisht i ulët, nga 100 deri në 200 mijë lekë, çka e bën tërheqës për sipërmarrës të vegjël.
Sipas saj, tkurrja e kërkesës për veshjet e përdorura lidhet kryesisht me dy faktorë: rënien e cilësisë së mallrave të importuara dhe rritjen e blerjeve online, sidomos tek vajzat e reja.
“Në dengjet që furnizojmë sot, gjenden gjithnjë e më pak veshje firmato, të cilat më parë ishin arsyeja kryesore pse konsumatorët blinin veshje të përdorura. Në një deng mund të ketë vetëm një ose dy artikuj markash të shtrenjta. Xhupat, për shembull, po preferohen gjithnjë e më shumë të blihen të rinj dhe firmato. Në furnizimet tona mungojnë xhupat e markave kryesore, ndaj edhe kërkesa për këtë kategori ka rënë ndjeshëm”, shpjegon Rreshka.
Sipas saj, blerësit më të rregullt të veshjeve të përdorura mbeten gratë e punësuara në profesione si mësuese, infermiere dhe mjeke, ndërsa të rinjtë po orientohen gjithnjë e më shumë drejt platformave online.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






