Transmetuar më 01-01-2026, 22:54

1 janar 2026

Nga vendet baltike dhe Lindja e Mesme, deri në Amerikën e Jugut dhe Tajvan, pesë zona të globit po identifikohen si më të ndjeshmet ndaj një përshkallëzimi të rrezikshëm në periudhën e ardhshme. Kështu vlerëson një analizë e publikuar nga The Independent, sipas së cilës një incident aksidental apo i qëllimshëm në cilëndo prej këtyre pikave mund të çojë në konflikt rajonal, ose edhe në një përballje më të gjerë ndërkombëtare.

Analiza thekson se, ndonëse një luftë e madhe në shkallën e konflikteve botërore të shekullit XX nuk konsiderohet aktualisht “në horizont”, kjo nuk nënkupton ulje të tensioneve. Përkundrazi, intensiteti i dhunës në Ukrainë, Sudan, Jemen dhe në zonën Ruanda–Republika Demokratike e Kongos pritet të mbetet i lartë, ndërsa po shtohen rreziqe të reja më pak të dukshme, si sulmet kibernetike dhe format e avancuara të luftës hibride, përfshirë kërcënimet biologjike dhe kimike.

Vendet baltike, pika më e ndjeshme përballë Rusisë Sipas analizës, presidenti rus Vladimir Putin pritet të vijojë përpjekjet për një “fitore absolute” në Ukrainë, duke testuar njëkohësisht kufijtë e durimit të NATO-s dhe Bashkimit Europian në zonat më të ndjeshme, veçanërisht në rajonin baltik, Atlantikun e Veriut dhe Ballkan. Mes skenarëve të përmendur janë incidente të mundshme me “flamur të rremë” rreth Kaliningradit dhe korridorit Poloni–Lituani, si dhe veprime subversive pranë kufijve me Norvegjinë dhe Estoninë. Në det, parashikohet rritje e patrullimeve nga nëndetëset ruse, duke vënë në provë sistemet e paralajmërimit të hershëm të NATO-s. Po ashtu, përmendet aktivitet në rritje i anijeve dhe mjeteve nënujore ruse të mbikëqyrjes dhe sabotimit. Një faktor shtesë mbetet dinamika politike në SHBA dhe marrëdhëniet e tensionuara me disa aleatë europianë, që, sipas analizës, mund të krijojnë “dritare mundësie” për veprime të nxituara nga Moska.

Amerika e Jugut dhe rreziku i Venezuelës Zona e dytë me rrezik të lartë lidhet me Amerikën e Jugut, ku në qendër qëndron Venezuela. The Independent paralajmëron se një përfshirje e drejtpërdrejtë amerikane mund të sjellë pasoja të ngjashme me ndërhyrjet e kaluara, duke rritur paqëndrueshmërinë në një rajon më të gjerë, nga Ekuadori deri në Kolumbi dhe Guajanë. Sipas analizës, nën retorikën politike qëndron faktori i naftës dhe ambicia e SHBA-së për të forcuar pozicionin si fuqi globale energjetike, çka mund të krijojë tensione edhe me aktorë të tjerë të mëdhenj ndërkombëtarë.

Lindja e Mesme dhe Briri i Afrikës, fitili që nuk shuhet Një tjetër vatër rreziku përfshin Lindjen e Mesme dhe Bririn e Afrikës. Gaza, Jemeni dhe Sudani mbeten pika të nxehta, ndërsa rivalitetet mes fuqive rajonale dhe roli i aktorëve shtetërorë e jo-shtetërorë e bëjnë situatën veçanërisht të paqëndrueshme. Në Sudan theksohet mungesa e sigurisë dhe përhapja e armëve, ndërsa në zonën kufitare Ruanda–RDK, gara për burime minerare strategjike po fiton peshë gjithnjë e më të madhe gjeopolitike.

India–Pakistani dhe tensionet në Azi Në Azinë Jugore, përplasja mes Indisë dhe Pakistanit mbetet e ndezur për shkak të Kashmirit dhe zhvillimeve në Afganistan, ndërsa India përballet paralelisht me tensione të vazhdueshme kufitare me Kinën. Edhe pse disa përplasje rajonale në Azinë Juglindore nuk pritet të përhapen gjerësisht, ato vazhdojnë të mbeten burim shqetësimi për stabilitetin rajonal.

Tajvani, skenari me pasoja globale Rreziku i pestë dhe ndoshta më kritik lidhet me marrëdhëniet mes Kinës dhe Tajvanit. Sipas analizës, një veprim i gabuar ose i nxituar nga Pekini mund të shkaktojë reagim zinxhir nga SHBA, Japonia, Australia dhe India, duke e shndërruar krizën në një përballje me pasoja globale.

Kërcënimet “e padukshme” Përtej konflikteve tradicionale, analiza vë theksin edhe te rreziqet më pak të dukshme: sulmet kibernetike, dezinformimi dhe format e reja të luftës hibride. Këto kërcënime, paralajmëron The Independent, shpesh neglizhohen derisa pasojat bëhen të dukshme. Në përfundim, analiza nuk parashikon domosdoshmërisht një luftë botërore, por identifikon zonat ku bota duket më e brishtë. Dhe në një klimë të tillë, një gabim i vogël, një keqkuptim apo një provokim i qëllimshëm mund të mjaftojë për të ndryshuar ekuilibrat ndërkombëtarë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit