Transmetuar më 01-01-2026, 21:06

“Deri në fund të kësaj dekade, Shqipëria të jetë “cashless”, pra që i gjithë ndërveprimi dhe të gjitha transaksionet financiare të jenë digjitale. Kjo është plotësisht e realizueshme dhe do të çlirojë vendin nga një barrë e madhe pluhuri dhe ferrash në të gjithë jetën e përditshme”, është shprehur më herët Kryeministri Edi Rama.

Me kartë apo me para në dorë? Shumica e shqiptarëve blejnë ose marrin shërbime duke përdorur para fizike dhe jo përmes mënyrave elektronike të pagesave.

Pavarësisht se vitet e fundit ka pasur një rritje të pagesave elektronike, qoftë të atyre të realizuara nga telefoni ose përmes terminaleve POS, ne vijojmë të jemi ndër ekonomitë më të varura dhe populli më i lidhur pas cash-it.

Megjithatë, qeveria synon që deri në vitin 2030 “të zhdukë” paranë fizike. Kur them zhdukje, nuk flas për eleminim total, por zvogëlim të përdorimit të lekut letër.

Por si do të dukej një Shqipëri pa para fizike? Thuajse çdo pagesë në dyqane, bar-restorante, hotele apo taksi dhe jo vetëm, do të realizohej me kartë përmes terminaleve POS në dyqane dhe lokale, përmes sistemit të pagesave të shpejta me QR Code ose nga telefoni.

Çfarë është bërë deri më tani në drejtim të kësaj?

Deri më tani janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm: është miratuar ligji dhe aktet nënligjore për shërbimet e pagesave, janë licencuar institucionet e parasë elektronike, është përparuar me bankingun e hapur dhe janë bërë integrime me sistemet ndërkombëtare si SEPA dhe AIPS EURO.

“Shumë njerëz mendojnë që paraja fizike është një dhuratë. Kanë lindur dhe me lindjen e tyre dhe paraja vjen në duart e tyre, pavarësisht në formën e dhuratave nga prindërit e të afërmit, apo dhe në kuptimin simbolik që të jetosh duhet të kesh dhe para. Mirëpo e shoqëruar për shekuj tashmë që shoqëria njerëzore ishte mësuar të kishte kesh-in si mjet pagese, sepse nuk kishte asnjë alternativë tjetër, është konsideruar nga njerëzit si një gjë e domosdoshme, pjesë e tyre që nuk mund të zëvendësohet dhe nuk mund të hiqet.

Në fakt, paraja është mjet përdorimi për njerëzit, nuk është pronë e tyre. Në pronësi e kanë bankat qendrore, ata që emetojnë paranë dhe ata që emetojnë kanë kosto. Dhe në qarkullimin e vet nuk del kurrë kjo kosto. Është vlerësuar që kostoja te ne e kesh-it është diku te 1.7-2% e prodhimit të përgjithshëm bruto. Pra është një kosto shumë e lartë që e vret ekonominë, edhe për faktin sepse ne kemi para kesh, por mbi 400 miliardë lekë janë jashtë kanaleve bankare sot, në qarkullim. Pra që nuk dimë për cilësinë, mirëmbajtjen, për numrin dhe kur bëjmë transaksione të tjera, banka qendrore duke matur lëvizjen në ekonomi dhe nevojën, bën gjithmonë parashikime të printojë para të tjera, të zëvendësojë paranë e dëmtuar e kështu me radhë. Pra ka një kosto të lartë e cila na kushton shumë, 1.7-2% e GDP-së, është vlerë e lartë.

E dyta është që paraja fizike nuk lejon transparencë, pra shumë veprime që bëhen, bëhen në të zezë dhe në këtë mënyrë as aktiviteti tregtar i shoqërive, por as të ardhurat e buxhetit të shtetit nuk realizohen në masën që duhet. Le të pranojmë për një moment që ekonomia informale te ne, sipas vlerësimeve që bëhen, është diku te 30-40%. Pra gjithë kjo pjesë, po themi 30-40%, e veprimeve ekonomike që ndodhin pa deklarim, pa u regjistruar në libra dhe pa u faktuar si veprime që ndodhin, do të thotë që në arkën e buxhetit të shtetit vijnë më pak para, aktiviteti tregtar mbetet më pak, konkurrenca dëmtohet, dhe kur vjen puna dhe për financimin e ekonomisë apo të këtyre subjekteve që kryejnë këto veprime, atëherë ata çedojnë dhe bankat nuk i marrin në konsideratë, dhe ulet edhe numri apo volumi i kërkesave që duhet edhe për financim të ekonomisë.

Pra në çdo aspekt që ta marrim, mikro apo makro, ne vetëm humbasim me kesh-in. Ne shikojmë që edhe nëprt rrjete sociale ka njerëz që flasin, që bankat luftojnë se duan të zëvendësojnë paranë, se po futin mjetet e tjera se duan të marrin komisione. Jo, ju përmenda që paraja fizike sot kushton më shumë se çdo pjesë tjetër, çdo element tjetër që mund ta zëvendësojë atë. Është një kosto që nuk e mbart klienti, e mban banka qendrore, e mban ekonomia, dhe ne na duket sikur është pa kosto. Kanalet e tjera të qarkullimit, sigurisht janë shumë herë më të lira. Bile, sot nëpërmjet e-banking, veprimet deri në njëzet mijë lekë, por u rritën, dyzet mijë lekë, janë pa kosto dhe ka banka që edhe përtej këtyre nuk paguajnë fare në e-banking.

Pra, ne themi që të bëhen në mënyra të tjera nga kanale alternative, ku kanaleve alternative u ofrojmë kosto shumë më të lira. Fakti që ndodhi me SEPA-n apo dhe me Open Banking, janë kanale, mënyra të tjera që i vijnë në ndihmë tregut, e kursehen me dhjetëra milionë euro nga komisionet që paguanin deri tani klientët. Sigurisht nuk mund t’i bënin më përpara, sepse nuk ekzistonte teknologjia, se nuk ekzistonte një rregullore, se nuk ekzistonte ky bashkëpunim, se duan një dakordësi jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë vendit për metodat e standardet që do përdoren për kryerjen e këtyre pagesave, por ja që kemi ecur në këtë drejtim dhe nuk themi si para 10 vitesh që çfarë e duam kesh-in. Jo, themi sot që çfarë duam kesh-in, se sot ofrojmë edhe mundësitë e tjera”, tha Sekretari i Shoqatës Shqiptare të Bankave në një intervistë me gazetaren Ledina Elezi.

Çfarë pritet të bëhet në vijim?

Ministria e Financave ka hartuar një plan me 12 masa për zvogëlimin e parasë fizike në Shqipëri. Plani është i ndarë në 3 shtylla që përfshijnë nxitjen e pagesave elektronike, përmirësimin e infrastrukturës dhe kostove, edukimin financiar. Ky program kombëtar për reduktimin e cash-it, i hartuar nga Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Shoqata e Bankave, si dhe nga aktorë ndërkombëtarë, parashikon ngritjen e një Këshilli të Pagesave Digjitale që do të koordinojë veprimet.

“Sigurisht edhe ekonomia cashless që të bëhet ka vështirësitë e veta. Nuk mund të ndodhë brenda një nate as brenda një viti, për më tepër në një vend si vendi ynë ku kultura dhe mënyra e jetesës është e lidhur shumë ngushtë me ekzistencën e parasë fizike.

Por e para gjë që mbetet për t’u vlerësuar është fakti që më në fund qeveria u shpreh politikisht dakord me masat për të ulur kesh-in në ekonomi. Ne kemi kaq vite që po luftojmë, së bashku me Bankën e Shqipërisë edhe nëpërmjet javës së parasë, që bëjmë thirrje edhe mundohemi të rrisim ndërgjegjësimin e publikut dhe të institucioneve të tjera që duhet njerëzit të mësojnë financën. Dhe mësimi i parë i financës është ta përdorësh paranë, mos ta mbash kesh. Në mënyrë që të kesh kosto sa më të ulët dhe të përfitosh sa më shumë.

Në këtë ndryshim që ka ndodhur brenda këtij viti, duhet vlerësuar që kemi tashmë një qëndrim të qartë të prerë që duam patjetër ekonomia të jetë pa kesh. E dyta, kur themi pa kesh nuk duhet kuptuar, se ka shumë spekulime sikur çdo gjë, 100% e ekonomisë nuk do të ketë kesh. Nuk flitet. Në literaturë dhe në standardet që bëhen për të kategorizuar një vend që është cashles apo jo, është përgjithësisht treguese që mbi 50% e transfertave e pagesave të ndodhin në kanale të tjera, jo me para fizike. Pra paraja fizike për gjëra të vogla do të ekzistojë dhe njerëzit edhe mund të kryejnë veprime. Por nuk mund të jetë mbizotëruese; në vendin tonë është mbizotëruese paraja, veprimet në kesh.

Me para, kesh mund të blesh të gjitha. Kurse po të vesh me kartë në çdo dyqan, mund të ketë dyqane që nuk paguan dot. Apo në hotele, në restorante nuk paguan dot. Do të thotë që kesh-i gjithandej pranohet, sot si jemi. Kurse kanalet e tjera alternative nuk janë akoma të vendosura që të mbulojnë gjithë territorin. E dyta që është e rëndësishme është fakti që kërkon shumë edukim financiar. Pra njerëzit duhet të jenë të ndërgjegjshëm që tashmë ekzistojnë mënyra të tjera të kryerjes së pagesave. Pra paraja nuk është një mjet zbukurimi, nuk është një mjet që ti shkon këtu dhe atje. Paraja është një mjet që ti të shkosh këtu dhe atje të paguash shërbimin. Se e paguan duke mbajtur në dorë apo e paguan në një mënyrë tjetër nga celulari, me kartë, në POS apo në çfarëdo varianti tjetër, rëndësi ka që ti të mbarosh punë.

Dhe sot, gjithë kultura e re, gjithë filozofia e qarkullimit në ekonomi është pikërisht kjo, që ty nuk të duhet paraja ta mbash si send, si objekt më vete. Të duhet që të marrësh shërbimin ose mallin, kundrejt një mënyre të pagesës. Dhe sot, mënyrat e pagesës janë pasuruar. Nuk është më vetëm kesh-i apo çeku siç ka qenë tradicionalisht edhe në vendet e tjera, por janë shumë kanale: QR-i, instant payment, karta, POS-i, mobile-i, nga kompjuteri, ka plot kanale të tjera që e kanë shndërruar, sot, sistemin financiar në një sistem krejtësisht të pamenduar më parë.

Dhe e fundit që do të thosha është që masat që do merren për të ulur kesh-in në ekonomi, duhet të jenë të mirë koordinuara edhe të harmonizuara. Paraja është, të themi, pronësi e Bankës Qendrore, dhe për sistemin e pagesave është Banka Qendrore që është përgjegjëse. Por rregullat e tjera me biznesin, se si duhet të pranojnë pagesat, janë përtej bankës qendrore, pra janë të qeverisë, dhe në këtë aspekt, në këtë hapësirë qeveria ka për të bërë shumë. Për vitin e ardhshëm është vendosur që deri në maj për shembull, të gjitha institucionet shtetërore publike që pranojnë pagesat duhet të kenë përveç parasë dhe një mënyrë tjetër alternative , që është shumë e mirë sepse shteti duhet të japë i pari shembullin që ne nuk jemi vetëm për para fizike.

Dhe janë vendosur, ka bërë një përmirësim OSHEE në të gjitha pikat e veta që ka, nuk pranojnë vetëm kesh-in por mund të paguash dhe me kartë. Te taksat e qarkullimit ti paguan tashmë edhe me kartë, jo vetëm në kesh, pra ka filluar edhe zbatimi konkret i tyre. Dhe e dyta, brenda majit duhet që të gjitha hoteleritë dhe restorantet përkatëse, sidomos në vijën bregdetare, por edhe në zonat që janë më turistike, duhet t’i ofrojnë klientit edhe një mënyrë tjetër pagese, përveç kesh-it, parasë fizike”, u shpreh Spiro Brumbulli.

Në vijim, pritet të zbatohet sistemi i pagesave të shpejta, i cili fillimisht ishte planifikuar të vihej në funksion deri në qershor 2026, por për shkak të përfshirjes së Maqedonisë dhe më gjerë të Ballkanit Perëndimor, afati mund të shtyhet deri në fund të vitit. Sistemi i pagesave të shpejta (instant payment), nënkupton që qytetarët do të mund të përdorin një QR code për të kryer pagesa nëpër dyqane, bare, restorante, hotele, taksi dhe të tjera, vetëm nëpërmjet skanimit të një kodi QR në telefon.

“Ka edhe një masë tjetër të parashikuar në vitin e ardhshëm, ku deri në fund të vitit gjithë bizneset duhet të përgatiten dhe të kenë edhe një mënyrë tjetër për pranimin e pagesave. Kjo ndoshta mund të jetë e parakohshme në sensin që, jo si vendim se nuk ka kuptim, ka shumë kuptim, por për realizimin praktik, sepse ne nuk duam që t’i detyrojmë bizneset vetëm te POS-i. Me POS-in kemi pasur shumë rezistencë nga bizneset e vogla për të pranuar, sepse pretendojnë se kostot janë të larta, paguhet e kështu me radhë, edhe pse do ndodhi një ndryshim vitin tjetër.

Por sepse në vitin tjetër parashikohet një reformë tjetër e rëndësishme, një projekt i madh që ka të bëjë me Instant Payment, me pagesat e menjëhershme në rang kombëtar, e cila do të jetë pa kosto për të gjithë ata që do pranojnë pagesat dhe më e rëndësishme është se marrësi, biznesi do t’i marrë paratë në llogari brenda 10 sekondave. Dhe kjo është një tjetër masë që sjell një ndryshim shumë të rëndësishëm në gjithë sistemin tonë financiar dhe ekonomik për mënyrën se si blerësi dhe shitësi do të bashkëpunojnë. Ndoshta ky projekt nuk do të mbarojë brenda vitit, në të njëjtën kohë që është vendosur afati, ose të mbarojë në dhjetor, por në dhjetor është vendosur afati.

Por me të gjitha këto, këtu mund të ketë hapësirë, sepse rëndësi ka që do bëhet. Biznesi duhet patjetër që ta ketë një alternativë pranimi. Pra po ecim në një rrugë më në fund të sigurt dhe këtë rrugë si shoqatë ne kemi mbi 6-7 vjet që e kemi kërkuar realisht, që të fillojmë dhe të shikojmë se si ekonomia mund të reagojë pa kesh-in, pa këtë presionin e madh për të pasur para fizike me vete. Sot po të lëvizësh në Shqipëri, po s’pate kesh me vete, para fizike në xhep, je i pasigurt se çfarë mund të ndodhë në një qytet tjetër; nuk paguan dot as autobusin, nuk paguan dot restorantin, nuk paguan dot hotelin e kështu me radhë.

Në kushtet e Instant Payment, ku çdo gjë mund të ndodhë nga llogaria jote në llogarinë e shitësit, bëhen zero gjitha këto vështirësi dhe shitësi është i detyruar të të pranojë. Pra në qoftë se ai nuk ka një alternativë, është përgjegjësia e tij, jo e blerësit. Blerësi thotë: "Unë kam para në llogari dhe dua të dërgoj nga llogaria", kaq, dhe mbyllet historia. Nëse ai nuk ka alternativë, përgjegjësinë e ka shitësi. Pra kemi të bëjmë me një ndryshim të madh, është koha që teknologjia na e solli, por edhe në tërësi gjithë shoqëria ka rënë dakord dhe ka përgatitur edhe standardet përkatëse se si mund të punohet.

Pra të mos themi pse na lindi ideja tani; na lindi tani sepse tani u bënë gjërat gati, nuk mund të kërkonim dot më përpara, edhe pse vazhdimisht kemi kërkuar që në shuma të mëdha transaksionet duhet të mos bëhen në kesh. Dhe janë bërë edhe disa hapa; nuk mund të blesh dot një shtëpi të themi apo një makinë, në qoftë se ti nuk i ke vendosur paratë paraprakisht në bankë, në llogarinë e noterit, dhe pastaj të bësh veprimet e tjera.

Pra, në përgjithësi, po fillon një program, i cili do ta ndihmojë Shqipërinë që brenda 2030 të jemi mbi 50% të transaksioneve jo kesh.”

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit