

Tiranë, 1 janar 2026 Epoka e qirave të lira në Shqipëri duket se ka marrë fund, teksa të dhënat zyrtare dhe analizat e tregut tregojnë një rritje të fortë dhe të qëndrueshme të çmimeve, veçanërisht në kryeqytet. Qiratë rezultuan grupi me rritjen më të lartë të çmimeve në muajin nëntor 2025, me 6.7%, duke u kthyer në përbërësin kryesor të inflacionit dhe duke zhvendosur ushqimet nga vendi i parë.
Sipas INSTAT, tendenca e shtrenjtimit të qirave nisi që në verën e vitit 2025 dhe u forcua ndjeshëm gjatë vjeshtës, një prirje që po vijon edhe në fillim të vitit 2026. Ekspertët e tregut e lidhin këtë situatë me një kombinim faktorësh që ndikojnë si nga ana e kërkesës, ashtu edhe e ofertës.
Rritja e fortë e çmimeve të banesave ka bërë që blerja e një apartamenti të ri të jetë e papërballueshme për shumicën e të punësuarve. Si pasojë, shumë familje po shtyjnë blerjen e shtëpisë dhe po qëndrojnë më gjatë në tregun e qirave, duke rritur ndjeshëm numrin e qiramarrësve. Në të njëjtën kohë, pronarët që kanë marrë kredi të shtrenjta po rrisin qiratë për të përballuar pagesat mujore.
Presioni mbi tregun e qirave është shtuar edhe nga kërkesa e turistëve dhe vizitorëve të huaj. Shqipëria mbetet atraktive për qiratë ditore, me çmime mesatare rreth 40–60 euro nata në Tiranë, shumë më të ulëta krahasuar me kryeqytete të tjera europiane. Kjo ka bërë që një numër i madh apartamentesh të orientohen drejt qiradhënies afatshkurtër, duke reduktuar ofertën për qira afatgjata dhe duke shtyrë çmimet lart.
Një tjetër faktor është mbajtja jashtë tregut e shumë apartamenteve të blera nga emigrantë ose shtetas të huaj, të cilat përdoren vetëm për pak ditë në vit. Kjo ka kufizuar edhe më tej ofertën për familjet me buxhete të kufizuara, të cilat po përballen me vështirësi serioze për të gjetur banesa me çmime të përballueshme, edhe në zonat periferike të Tiranës.
Agjentët imobiliarë theksojnë se apartamentet me qira 300–350 euro janë tashmë shumë të rralla dhe gjenden kryesisht në zona si Astiri ose Fresku, ku merren pothuajse menjëherë. Në segmentin rezidencial, çmimet për apartamente 1+1 në zonat më të kërkuara të kryeqytetit kanë arritur deri në 900 euro në muaj, ndërsa rritja vjetore e qirave varion nga 6% deri në 57%, sipas zonës.
Zona pranë stadiumit kombëtar vijon të mbetet më e shtrenjta, ku qiratë për apartamente 2+1 kanë arritur mesatarisht 1,800 euro në muaj, me një rritje vjetore prej 13%. Në ish-Bllok, qiratë për 1+1 kanë shkuar në 650 euro në muaj, 16% më shumë se një vit më parë, ndërsa për 2+1 çmimi mesatar ka arritur 900 euro. Rritje janë shënuar edhe në Rrugën e Elbasanit, Komunën e Parisit dhe zonën e Liqenit Artificial, ku për apartamente 2+1 çmimet kanë arritur deri në 1,400 euro në muaj.
Të dhënat e AirDNA tregojnë se në fund të vitit 2024, në të gjithë vendin ishin të listuara rreth 21 mijë njësi për qira afatshkurtër, nga të cilat rreth 3 mijë vetëm në Tiranë, një treg që po konkurron drejtpërdrejt me qiratë rezidenciale.
Ekspertët paralajmërojnë se çmimet e qirave pritet të vijojnë rritjen edhe gjatë vitit 2026, për shkak të kërkesës së lartë dhe mungesës së ofertës së përballueshme. Sipas tyre, pa ndërhyrje konkrete nga qeveria dhe bashkitë për të nxitur ndërtimin e banesave me çmime të përballueshme dhe politikat e banesave sociale, barra për qiramarrësit rrezikon të rëndohet edhe më tej.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






