

Rreth 40 persona dyshohet se kanë humbur jetën dhe 100 të tjerë janë plagosur pas një shpërthimi në një resort luksoz skish në Zvicër, gjatë festimeve të natës së Vitit të Ri. Sipas dëshmive të personave që ndodheshin në vendngjarje, zjarri po hetohet se është shkaktuar nga një qiri feste, i vendosur brenda një shisheje shampanje në bodrumin e ambientit
CRANS-MONTANA, Zvicër, 1 Janar 2026 – Dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën dhe rreth 100 të tjerë janë plagosur, shumica në gjendje të rëndë, pas një zjarri të fuqishëm që shpërtheu sot ora 01.30 në një bar në Alpet Zvicerane gjatë festimeve të Vitit të Ri, bënë të ditur autoritetet lokale.
Zjarri shpërtheu në barin dhe ambientin lounge “Le Constellation”, në zonën turistike të Crans-Montana, në kantonin Valais. Komandanti i Policisë së Valais-it, Frédéric Gisler, deklaroi se “disa dhjetëra persona” kanë humbur jetën, ndërsa procesi i identifikimit të viktimave dhe njoftimit të familjarëve është ende në zhvillim.
“Ky proces do të kërkojë kohë dhe në këtë fazë është e parakohshme të jepet një shifër e saktë,” tha Gisler gjatë një konference për shtyp.
Zjarri shpërtheu pasi një “qiri feste u vendos brenda një shisheje shampanje”, thonë dëshmitarët
Dëshmitarët besojnë se flakët u shkaktuan nga një qiri feste i vendosur brenda një shisheje shampanje në bodrumin e ambientit.
Një grua, e cila u prezantua si Emma dhe ndodhej në lokal në momentin e shpërthimit, tregoi se zjarri duket se nisi pasi njerëzit po festonin me shishe shampanje që kishin qirinj të vendosur mbi to.
“Disa nga shishet ishin pranë tavanit dhe aty mori flakë. I gjithë tavani u përfshi nga zjarri dhe flakët u përhapën shumë shpejt. Ndodhi për disa sekonda. Ne vrapuam jashtë duke bërtitur dhe duke qarë,” tha ajo për kanalin francez të lajmeve BFM.
Autoritetet ende nuk e kanë konfirmuar shkakun e saktë të zjarrit, por kanë përjashtuar mundësinë e një sulmi terrorist.
Zyrtarët, me deklarata të rezervuara
Prokurorja e Përgjithshme e kantonit Valais, Beatrice Pilloud, tha se është ende herët për të përcaktuar shkakun e zjarrit, pasi ekspertët nuk kanë arritur ende të hyjnë në rrënojat e godinës. Ajo sqaroi gjithashtu se nuk ka asnjë dyshim për ndonjë akt kriminal apo sulm.
Autoritetet e përshkruan ngjarjen si një “përfshirje të përgjithshme nga flakët”, një term zjarrfikës që nënkupton ndezjen e menjëhershme të gazrave të djegshëm, fenomen i njohur si flashover ose backdraft.
“Një mbrëmje që duhej të ishte festë dhe bashkim, u shndërrua në një makth,” deklaroi Mathias Rénard, kreu i qeverisë rajonale.
Numri i madh i të plagosurve bëri që njësitë e kujdesit intensiv dhe sallat e operacionit në spitalin rajonal të mbingarkoheshin brenda pak kohe. Helikopterë dhe ambulanca u angazhuan për të transportuar të lënduarit, mes të cilëve edhe shtetas të huaj.
Autoritetet lokale u kanë bërë thirrje banorëve dhe turistëve të tregojnë kujdes të shtuar në ditët në vijim, për të shmangur aksidente të tjera që mund të rëndojnë më tej sistemin shëndetësor, tashmë nën presion.
Crans-Montana ndodhet në zemër të Alpeve Zvicerane, rreth 40 kilometra në veri të Matterhornit dhe është një nga destinacionet më të njohura turistike për sportet dimërore. Zona është gjithashtu e njohur për garat ndërkombëtare të skive alpine dhe evente prestigjioze sportive.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj tragjedie vijojnë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






