

Gjirokastër, 1 janar 2026 Një aksident tragjik rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në aksin Gjirokastër–Tepelenë, në vendin e njohur si “Bypass”, duke shkaktuar humbjen e tre jetëve dhe plagosjen e rëndë të një vajze të re.
Sipas informacioneve zyrtare, nga përplasja e dy automjeteve kanë humbur jetën Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruci, 28 vjeç, të cilët udhëtonin me një automjet tip Volkswagen, si dhe Martin Dulaj, 26 vjeç, drejtues i një automjeti tip Mercedes Benz. Të tre viktimat kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga përplasja e fortë.
Në aksident ka mbetur e plagosur rëndë edhe Arsida Demiri, 20 vjeçe, e cila është transportuar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndihmë më të specializuar mjekësore. Sipas burimeve spitalore, ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia e Gjirokastrës ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:18, kur automjeti që drejtohej nga shtetasi M. D., 25 vjeç, është përplasur me automjetin e drejtuar nga shtetasi K. M., 24 vjeç. Si pasojë, kanë humbur jetën të dy drejtuesit e mjeteve dhe një pasagjer, ndërsa një shtetase e re ka mbetur e dëmtuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti të rëndë, që ka tronditur opinionin publik në ditën e parë të vitit 2026.
Njoftimi i Policisë Gjirokastër:
“Rreth orës 03:18, në aksin rrugor “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”, automjeti me drejtues shtetasin M. D., 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi K. M., 24 vjeç, banues në Tepelenë.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi A. R., 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja A. D., 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”.



Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






