

Tiranë, 1 janar 2026
Viti 2026 ka trokitur në Shqipëri mes një atmosfere festive dhe entuziazmi të jashtëzakonshëm, teksa qytetet në mbarë vendin u përfshinë nga dritat shumëngjyrëshe të fishekzjarrëve që ndriçuan qiellin në çastin e ndërrimit të viteve.
Në kryeqytet, mijëra qytetarë, duke përfituar nga temperaturat relativisht të larta për këtë periudhë dimri, u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të pritur Vitin e Ri. 2026-a u mirëprit me një spektakël fishekzjarrësh të organizuar nga Bashkia e Tiranës, i shoqëruar nga një koncert festiv ku u ngjitën në skenë disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, duke krijuar një atmosferë elektrizuese deri në sekondat e para të vitit të ri.
Festimet nuk u kufizuan vetëm në kryeqytet. Qielli u ndez nga fishekzjarrët edhe në Elbasan, Durrës, Vlorë, Shkodër, Korçë, Gjirokastër dhe në dhjetëra qytete të tjera të Shqipërisë, ku qytetarët festuan në sheshe, rrugë dhe ambiente familjare, duke ndarë momente gëzimi dhe shprese për vitin që sapo nisi.
Shfaqjet e fishekzjarrëve, që zgjatën nga 10 deri në 15 minuta, e bënë këtë natë të paharrueshme, ndërsa Policia e Shtetit ishte në gatishmëri të plotë për të garantuar rendin dhe sigurinë gjatë kremtimeve. Viti i Ri mbetet një nga festat më tradicionale për shqiptarët, një moment që bashkon familjarë, miq dhe shokë rreth tryezës dhe urimeve për një vit më të mbarë.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve Noa.al u uron të gjithë shqiptarëve, kudo që ndodhen: Gëzuar Vitin e Ri 2026!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






