

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka uruar në prag të mbrëmjes së ndërrimit të viteve, të gjithë shqiptarët kudo që janë, duke e shoqëruar urimin e tij me kritika të forta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, si dhe me thirrje për mobilizim politik të qytetarëve shqiptarë.
Berisha e cilësoi Vitin e Ri si një vit shprese, por njëkohësisht duke bërë një bilanc negativ të vitit 2025, të cilin e përshkroi si një vit që, sipas tij, shqiptarët “nuk e meritonin”.
“Të dashur qytetarë dhe qytetare shqiptarë! Sonte ne presim vitin e ri 2026! Ndaj dhe unë nga zemra ju uroj, kudo që ndodheni, në votrat familjare, në lokale, në udhëtime, në Shqipëri, në botë, në institucionet e vuajtjes së dënimit, në spitale, Gëzuar vitin e ri 2026. Viti i ri për të gjithë shqiptarët, për të gjithë njerëzit, është vit shprese. Por, siç është tradita, nuk mund të ndahemi nga ky vit pa hedhur një vështrim drejt tij. Viti 2025 ishte një vit që shqiptarët kurrë nuk e meritonin. Ky vit i gjen ata qytetarët më të keqpaguar në Europë. Qytetarët me tavolinat më të pakta, sepse blejnë me çmimet më të shtrenjta, me rroga më të ulëta, me pensionet më të ulëta. Por ky vit i gjen ata gjithashtu me drejtorët, ministrat, qeveritarët më të pasur në Europë. Pasuritë e tyre marramendëse arrijnë pasuritë e regjimeve diktatoriale të dikurshme të Afrikës së 30 viteve më parë. Viti që lamë pas ishte një vit në të cilin kombi u pakësua dhe më shumë. Mijëra shqiptarë u ndanë nga jeta më shumë sesa erdhën në këtë jetë. Viti 2025 ishte viti i agonisë së plotë të demokracisë shqiptare”, u shpreh Berisha në videomesazhin e tij të fundvitit.
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Rama për manipulim të zgjedhjeve dhe për lidhje me krimin e organizuar, duke pretenduar se në zgjedhjet e vitit 2025 u “rrëmbye vota e shqiptarëve” dhe u konsolidua ajo që ai e quajti “narkoshtet”.
“Narkodiktatori, duke përdorur të gjitha mjetet dhe potencialet e një shteti, rrëmbeu votën e shqiptarëve dhe ndërtoi mazhorancën e krimit. Viti që lamë pas ishte viti i zjarreve, përmbytjeve më të mëdha, të cilat nuk ndodhën vetëm në Shqipëri, por ato për ne shqiptarët erdhën si në një vend pa shtet. Në fakt, viti 2025 do të mbahet mend edhe si viti i zbulimit të vjedhjeve më të mëdha në historinë kombëtare të shqiptarëve nga Edi Rama, Lubi Balluku, familja Rama, Erjon Veliaj, drejtorët e tij në ministri, në bashki, zyrtarë në tërësi. Ky ishte viti në të cilin u burgos pas 46 protestave, kryetari i Bashkisë Tiranës. Viti në të cilin në regjistrat e prokurorisë, dolën emrat dhe vjedhjet e paimagjinueshme të Lubi Ballukut me 300 apartamente, dy jahte, 15 supermarkete. Emri i Edi Ramës në të gjitha mesazhet si përcaktues i tenderave dhe vetëm në tunelin e Llogarasë u zhdukën të paktën 50 milionë euro. AKSHI, përbën skandalin më të madh korruptiv jo të Shqipërisë, po të Europës. AKSHI, kopshti privat i Edi Ramës, ishte epiqendra e krimit shtetëror, të padëgjuar më parë”, deklaroi ish-kryeministri.
Berisha deklaroi se viti 2026 do të jetë një vit vendimtar për shqiptarët, të cilin e cilësoi si vitin e shpresës dhe të bashkimit qytetar për ndryshim. Ai u shpreh se opozita dhe qytetarët do të angazhohen për rikthimin e votës së lirë, mbrojtjen e demokracisë dhe përballjen me qeverinë aktuale.
“Pra miq, të gjitha këto përbëjnë një bazë të fuqishme për çdo qytetar shqiptar për veprim, ndaj dhe me besim të plotë mund të themi se viti 2026 është viti i shpresës së madhe, për Shqipërinë dhe shqiptarët. Është viti në të cilin ata do bashkohen si kurrë më parë për t’i bërë funeralin organizatës kriminale që quhet Rilindja dhe kryesohet nga Edi Rama. Do bashkohen si kurrë më parë për të shpëtuar demokracinë shqiptare, rikthimin e votës së lirë. Për të shpëtuar familjen shqiptare nga një ligj shkatërrimtar për gjininë dhe familjen. Për të shpëtuar Shqipërinë nga rrokullisja e saj e madhe. Pra, këtë vit çdo shqiptar që e do këtë vend, e fillon si misionar, e fillon në lartësinë e një misioni të madh shpëtimtar”, shtoi më tej ai.
Në përfundim të mesazhit, Berisha uroi shqiptarët për Vitin e Ri, duke shprehur dëshirën që 2026 të jetë një vit në lartësinë e pritshmërive dhe shpresave të tyre.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






