

Tiranë- Ekipi i Partisë Socialiste të Tiranës ka trokitur gotat në prag të ndërrimit të viteve, në një ceremoni të zhvilluar mbrëmjen e djeshme të Pallati i Brigadave. I pranishëm ka qenë kryeministri Edi Rama që ka publikuar edhe një video nga mbrëmja festive.
Në pamjet e shpërndara, Rama shfaqet i buzëqeshur, duke trokitur gotat dhe përqafuar të pranishmit.
Por nëse për disa ka qenë festë, disa të tjerë kanë “shkëlqyer” me mungesën e tyre.
Bëhet fjalë për "gardën e vjetër” të Partisë Socialiste, të cilët kanë zgjedhur të mos i bashkohen trokitjes së gotave për fundvit, duke përforcuar zërat se situata në kampin socialist nuk është aq rozë sa prezantohet.
Në Pallatin e Brigadave nuk kanë shkuar Pandeli Majko, Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Arben Pëllumbi, Ermonela Felaj, Etjen Xhafaj, Mimi Kodheli, Plarent Ndreca, etj.
Disa kanë refuzuar për shkak se mbetën jashtë listave për deputetë, disa mbetën jashtë Parlament, për shkak se ishin në listën dhe disa për shkak të tentativës së një pjese të partisë për të larguar nga drejtimi i bashkisë kryetarin Erion Veliaj.
Sakaq ra në sy edhe mungesa e zëvendëskryeministres Belinda Balluku që është nën hetim nga SPAK.
Ndërkohë, përsa u përket të pranishmëve, atje kanë qenë pothuajse të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar, dy nga bashkëdrejtuesit e qarkut, Blendi Gonxhe dhe Ogerta Manastirliu, zëvendësministri Xhemal Qefalia, Halit Valteri dhe pjesa më e madhe e të rinjve në strukturat e ekipit socialist të kryeqytetit.
Gjatë aktivitetit, Manastirliu uroi një vit të ri sa më të mbarë dhe të shëndetshëm, duke vënë theksin tek shpresa dhe energjia e mirë për qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë.
“Sot është një moment për të celebruar, për të uruar njëri tjetrin: një vit sa më të mbarë , sa më të shëndetshëm dhe për të uruar qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë për një vit plot me shpresë, me energji, me besim se e nesërmja dhe Viti i Ri do të jetë shumë i mirë”, tha Manastirliu.
Nga ana e tij, Rama ngriti disa dolli, duke e nisur me një urim për familjet e të pranishmëve, për vajzat dhe gratë pjesëmarrëse, si edhe për mbështetësit e Partisë Socialiste që, sipas tij, nuk janë domosdoshmërisht “në vijën e parë”, por kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në Partinë Socialiste.
“Dua të bëj një shëndet shumë të ndjerë dhe vëllazëror për të gjitha familjet tua. Të dytin do ta bëj për të gjitha vajzat dhe gratë që janë këtu dhe shëndetin e tretë dua ta ngre për të gjithë ata që janë mbështetës, pra jo për ata që janë në vijën e parë, por për ata që janë në vijën e dytë e të tretë që janë kryetarë të partisë, organizatave…” tha Rama.
Në vijim, Rama shprehu mirënjohjen për çdo anëtar dhe aktivist të Partisë Socialiste, duke i cilësuar ata si pjesë e një “familje të madhe”, dhe përcolli urime për shëndet e mbarësi për familjet e tyre, duke theksuar besimin e tij në forcën dhe vazhdimësinë e PS-së.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






