Transmetuar më 30-12-2025, 14:21

Është shkarkuar nga detyra kreu i Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, Skerdi Drenova, pas problemeve të shumta dhe të përsëritura me furnizimin me ujë të pijshëm në kryeqytet.

Vendimi është marrë pas ankesave të vazhdueshme të qytetarëve, të cilët prej muajsh raportojnë mungesë serioze të ujit në banesat e tyre.

Problematika është thelluar me kalimin e kohës dhe, sipas qytetarëve, nuk ka pësuar përmirësim as gjatë periudhës së dimrit, ndonëse në vend ka pasur reshje të shumta shiu. Kjo ka ngritur pikëpyetje të forta, sidomos duke marrë parasysh faktin se liqeni i Bovillës, burimi kryesor i furnizimit me ujë për Tiranën, ka qenë i mbushur dhe pa probleme të dukshme në kapacitetin e tij.

Kryeministri Edi Rama ka shprehur publikisht kritika të forta ndaj menaxhimit të Ujësjellës-Kanalizimeve Tiranë, duke deklaruar se gjendja e krijuar është pasojë e keqmenaxhimit dhe mungesës së përgjegjshmërisë institucionale.

Ende nuk është bërë e ditur se kush do ta zëvendësojë atë në krye të institucionit, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë një plan konkret për zgjidhjen e krizës së ujit në Tiranë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit