

Ish zv-kryeministri dhe ish-ministri i Bujqësisë, Zyhdi Pepa, ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare.
Lajmi është bërë bëhet me dije nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste i shpreha sot ngushëllimet familjes së shokut dhe profesorit tonë Zyhdi Pepa, i cili u nda nga jeta.
Zyhdi Pepa ka përfaqësuar Partinë Socialiste si deputet në dy legjislatura, gjithashtu ka qenë Zëvendës Kryeministër dhe Ministër i Bujqësisë. U prehsh në paqe Profesor”, shkruan Balla.
Zyhdi Pepa shërbeu si ministër i Bujqësisë gjatë viteve 1991–1992, në një kohë kur bujqësia përbënte një nga sektorët më të ndjeshëm dhe jetikë të ekonomisë shqiptare.
Mandati i tij përkoi me proceset e para të reformimit ekonomik, privatizimit të tokës dhe riorganizimit të institucioneve shtetërore pas rënies së regjimit komunist.
Në të njëjtën periudhë, Pepa ushtroi edhe funksionin e zëvendëskryeministrit, duke qenë pjesë e qeverisë së stabilitetit që kishte për detyrë menaxhimin e tranzicionit politik dhe institucional të vendit.
Qeveria ku ai mori pjesë ishte e përbërë nga përfaqësues të spektrit të ndryshëm politik dhe synonte garantimin e rendit, reformave bazë dhe përgatitjen e zgjedhjeve të lira.
Ai ushtroi detyrën si zv.kryeministër dhe ministër i Bujqësisë në qeverinë e Ylli Bufit dhe më pas në atë të Vilson Ahmetit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






