

Tiranë, 30 Dhjetor 2025
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në konferencën e fundvitit se nga 1 janari 2026 do të nisë rritja e pagës minimale në 500 euro. Ai shtoi se gjatë vitit të ardhshëm do të vijojë rritja dhe indeksimi i pensioneve, duke përfshirë edhe masat për pagën minimale, si dhe rritjen e investimeve të huaja dhe të bizneseve të reja.
“Parashikohet që viti të mbyllet me një rritje ekonomike 3.9%, një nivel i konsiderueshëm dhe ndoshta më i larti në rajon. Bizneset e reja janë shtuar me 20% gjatë 11-mujorit të vitit. Investimet e huaja, vetëm në tremujorin e tretë, kanë shënuar një rritje prej 10%, ndërsa stoku i përgjithshëm i investimeve të huaja është mbi 10% më i lartë krahasuar me vitin e kaluar. Paga mesatare në tremujorin e tretë ka arritur në 833 euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme”, theksoi Rama.
Ai u ndal edhe te paga minimale dhe pensionet: “Kemi për pak ditë hyrjen në fuqi të pagës minimale që shkon në 500 euro dhe do të përfshijë një numër të konsiderueshëm punonjësish. Kontributet për këta punonjës për 9 muaj do të paguhen nga punëdhënësit. Që nga tetori i këtij viti është kryer indeksimi i radhës i pensioneve.
Me hyrjen e vitit të ri nis dhe rritja e qëndrueshme e pensioneve përmes një mbështetjeje që do të dyfishohet vit pas viti. Pensionet urbane me vite të plota pune, duke filluar nga janari, do të rriten me 18 mijë lekë të vjetra në muaj dhe do të dyfishohen në vitin pasardhës”, tha kryeministri.
Viti 2025 mbyllet kështu me një panoramë ekonomike pozitive dhe një fokus të qartë mbi rritjen e të ardhurave të qytetarëve dhe mbështetjen e biznesit dhe investimeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






