

Partia Demokratike ka zhvilluar ‘Foltoren’ e radhës para godinës së Kryeministrisë pasditen e sotme.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, tha gjatë fjalës së tij para të pranishmëve se protestuesit e opozitës nuk do të largohen nga sheshi, pa larguar më parë qeverinë Rama.
Berisha hodhi gjithashtu akuza të rënda ndaj qeverisë për lidhje me krimin, teksa tha se Ergys Agasi, i akuzuar për pengmarrje nga SPAK, rrahu me grushta ish-ministrin Ulsi Manja, duke i thënë sipas tij, se e kishte porosi nga ‘Kapoja’.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta, nderimin më të madh për ju, misionare dhe misionarë të pamposhtur që qëndroni në lartësinë e idealeve tuaja.
Idealeve më fisnike të njeriut.
Idealeve të lirisë.
Qëndroni dhe do qëndrojmë në këtë shesh, Sheshin e Lirisë, gjersa nga ajo ndërtesë të shporrim binomin që ka vjedhur dhe ka përçmuar më shumë shqiptarët në tërë historinë tonë kombëtare, Edi Ramën dhe Lubi Ballukun.
Të dashur miq, një vajzë para meje, para jush, ftoi këtu që Edi Ramën të mos e quajmë më kryeministër.
Unë u ftoj ju dhe shqiptarët që sot e tutje, Edi Ramën ta thërrasim me gjuhën, fjalorin, zhargonin e koordinatorit të tij, Gys Agasi, Kapoja.
Në të gjithë gjuhën, edhe kur rrihte me grushta Ulsi Manjën në zyrat e tij, i thoshte se më ka urdhëruar Kapoja.
Pra, nuk janë më zyrtarë, por këta janë një bandë që nuk e ka parë ndonjëherë kjo tokë dhe e pashembullt jo vetëm në Shqipëri, por u garantoj dhe as në Europë dhe botë ndoshta”, tha Berisha.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






