

Kosova ka zhvilluar zgjedhjet e dyta parlamentare pas 9 muajsh nga procesi i parë zgjedhor. Këto zgjedhje të jashtëzakonshme u zhvilluan në kushtet e një shteti drejt kolapsit pas dështimit të Partisë Lëvizja Vetëvendosje për të krijuar qeverinë.
Nga numërimi i 2.557 kutive të votimit, është Albin Kurti me partinë LVV që kryeson bindshëm me 49.30%. Pas LVV-së renditet Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e drejtuar nga Bedri Hamza me 21.01% dhe në vend të tretë është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me kryetar Lumir Abdixhiun, i cili ka arritur të sigurojë 13.59%.
Abdixhkiu në një deklaratë për media deklaroi se do të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë duke paralajmëruar kështu dhe për një dorëheqje të mundshme nga drejtimi i partisë. Nga ana tjetër, Albin Kurti ka shpallur fitoren e parakohshme ndërsa ftoi dhe partitë opozitare për bashkëpunim, kryesisht për çështjet ndërkombëtare.
Ndërkohë ende për tu numëruar janë votat me postë, ato me nevoja të veçanta dhe votat me kusht, e më pas do të shpallen rezultatet përfundimtare. Kreu i KQZ Kreshnik Radoniqi deklaroi se sot do të nisë numërimi i votave të kandidatëve dhe konfirmimi i votave për subjektet politike.
Nga zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV arriti të siguronte 42.30% të votave, e përkthyer në 48 mandate. Në vend të dytë u rendit PDK me 20.95% të votave ose 24 mandate, pasuar nga LDK me 18.27% vota përkthyer në 20 mandate.
Me rezultatin që ka marrë Kurti, në bazë të përllogaritjes mund të prodhojnë 56 deputetë. Kurtit i duhen jo më shumë se 5 deputetë nga 10 që kanë pakicat jo serbe për të formuar pa shumë kokëçarje qeverinë “Kurti 3”.
Me përllogaritjen sipas formulës “D’Hondt”, Partia Demokratike e Kosovës me 21 për qind të votave ka 23 deputetë. Lidhja Demokratike ka 15 deputetë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka siguruar 6 deputetë.
Në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje është rritur me 8 deputetë, nga 48 sa i kishte.
Ndërkaq, PDK-ja e humbi një deputet.
Humbësja më e madhe është LDK-ja që ka humbur pesë deputetë, nga 20 sa kishte.
AAK-ja në koalicion me Nismën ka pasur 8 deputetë.
Kjo përllogaritje vlen pa u numëruar votat nga postë dhe ato në përfaqësi diplomatike.
20 ulëse të tjera në Kuvendin e Kosoës ndahen në 10 për komunitetin serb dhe 10 për komunitetet tjera.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






