Transmetuar më 28-12-2025, 22:22

EMIRATET E BASHKUARA – Kjo e dielë ishte dita e ceremonisë së ndarjes së çmimeve në Globe Soccer Awards, një ceremoni që ka nisur të zhvillohet që nga viti 2010 në Dubai.

Ishte e lehtë të mendohej që për vitin 2025 triumfuesi të ishte Ousmane Dembele i PSG-së për kontributin e dhënë prej tij në triumfet e klubit parizien sezonin e kaluar. Sulmuesi mundi në këtë garë shokun e tij të skuadrës Vitinha, Kylian Mbappe dhe dyshen e Barcelonës, Lamine Yamal dhe Raphinha.

Në futbollin e femrave, trofeu i “Lojtares më të Mirë” i shkoi Aitana Bonmati të Barcelonës që e fiton këtë çmim për të tretin vit radhazi. Mesfushorja katalanase mposhti konkurrencën e Alexia Putellas, Alessia Russo, Mariona Caldentey dhe Melchie Dumornay.

Çmimi si “Trajneri më i mire” i vitit padyshim që shkoi te Paris Saint Germain, pasi ishte Luis Enrique ai që e fitoi atë duke lënë pas tij Enzo Maresca, Hans Flick, Mikel Arteta dhe Xabi Alonson.

Skuadra më e mirë e futbollit të meshkujve u shpall Paris Saint Germain, ndërsa në futbollin e femrave Barcelona.

Po kështu u dhanë çmime edhe për Sulmuesin, Mesfushorin dhe Lojtarin e ri më të mirë, që u fituan respektivisht nga Lamine Yamal, Vitinha dhe Desire Doue.

Çmimin si Drejtori Sportiv më i mirë e fitoi Luis Campos, ndërsa agjenti më i mirë u shpall Jorge Mendes.

Po kështu u nderua edhe Andres Iniesta me ish-mesfushorin spanjol që fitoi Çmimin e Karrierës, ndërkohë që një trofe shkoi edhe në duart e Cristiano Ronaldos, që u shpall Lojtari më i mirë i Lindjes së Mesme.

Në këtë ceremoni një risi ishte edhe edicioni i parë i Globe Sport Awards, në çmim që i jepet një sportisti jashtë botës së futbollit dhe për këtë vit, ky çmim i shkoi tenistit Novak Djokovic.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit