

Mbështetësit e Vetëvendosjes festojnë para selisë në Prishtinë
Simpatizantë të shumtë janë mbledhur mbrëmjen e sotme para selisë së Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, ku po festojnë rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare.
Atmosfera është shoqëruar me këngë, valle dhe fishekzjarre, ndërsa mbështetësit shprehin entuziazmin për fitoren e shpallur nga rezultatet e deritanishme.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me rreth 81% të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje e udhëhequr nga Albin Kurti ka siguruar gati 50% të votave në nivel vendi.
KQZ pritet të vijojë përditësimin e rezultateve deri në përmbylljen e plotë të procesit të numërimit.
KQZ vijon numërimin: Vetëvendosje kryeson, pjesëmarrja afro 45%
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon procesimin e rezultateve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura sot në Kosovë.
Sipas të dhënave të përditësuara në platformën zyrtare të KQZ-së, deri tani janë procesuar 94,64% e kutive të votimit. Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 49,88% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,14%. Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) renditet e treta me 13,79%, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 5,78% të votave.
Pjesëmarrja në zgjedhje, sipas përditësimit të fundit nga KQZ, ka arritur në 44,99% të qytetarëve me të drejtë vote.
Procesi zgjedhor është zhvilluar në gjithsej 948 qendra votimi, me 2.614 vendvotime. Prej tyre, 910 qendra me 2.557 vendvotime janë përdorur për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra me 57 vendvotime kanë shërbyer për votimin me kusht.
Në garë për një vend në Kuvendin e Kosovës kanë qenë gjithsej 1.146 kandidatë për deputetë, të përfaqësuar nga 23 subjekte politike që morën pjesë në këto zgjedhje.
KQZ pritet të vijojë përditësimin e rezultateve deri në përmbylljen e plotë të procesit të numërimit dhe certifikimin zyrtar të zgjedhjeve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






