Transmetuar më 28-12-2025, 19:54

Vlora u përfshi mbrëmjen e sotme nga një protestë e paprecedentë për mungesën e ujit të pijshëm. Dhjetëra qytetarë hynë në sallën ku po zhvillohej koncerti Gala i festave të fundvitit, në Teatrin “Petro Marko”, duke ndërprerë aktivitetin dhe duke kërkuar zgjidhje për krizën e ujit.

Me pankarta në duar “Duam ujë”, “Vlora do ujë” dhe thirrje të forta kundër qeverisë, protestuesit u futën në sallë mes shfaqjes, duke shkaktuar kaos dhe ndërprerjen e menjëhershme të eventit. Artistët u larguan nga skena, ndërsa mbrëmja Gala u anulua.

Forca të shumta policie rrethuan sallën dhe ndërhynë për shpërndarjen e protestës. Disa qytetarë që thirrën parulla u shoqëruan nga policia, ndërsa salla u mbush me efektivë të rendit.

Sipas banorëve, kjo është hera e parë pas shumë dekadash që një protestë për një të drejtë bazike zhvillohet në këtë formë, brenda një eventi zyrtar. Prej tre ditësh, qyteti i Vlorës ndodhet pa furnizim normal me ujë të pijshëm, duke shkaktuar revoltë dhe zemërim të gjerë qytetar.

Në protestë u panë edhe përfaqësues të së djathtës dhe qytetarë të shumtë, të cilët vërshuan drejt skenës së teatrit “Petro Marko”, duke e kthyer mbrëmjen festive në një skenë tensioni dhe përplasjeje.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët kërkojnë zgjidhje urgjente për krizën e ujit që ka paralizuar jetën e përditshme në qytetin bregdetar. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit