

Tiranë- Euro po vijon rënien edhe gjatë kësaj jave, duke shënuar nivele historikisht të ulëta në raport me lekun.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha evropiane e mbylli javën me 96.46 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Në tregun e lirë valutor, euro këmbehet edhe më lirë, rreth 95 lekë, ndërsa në disa banka të nivelit të dytë, kursi ka zbritur nën këtë prag të ri psikologjik.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia lidhet kryesisht me ofertën e shtuar të valutës në treg. Një fenomen i zakonshëm për këtë periudhë të vitit, i nxitur nga kthimi i emigrantëve për festat e fundvitit dhe flukset më të larta të euros në ekonomi.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e mëparshme, rënia vjetore e kursit është më e moderuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, euro ka humbur rreth 2.1 për qind të vlerës ndaj lekut.
Stabilizimi relativ i kursit gjatë këtij viti i atribuohet kryesisht ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë.
Banka Qendrore ka blerë sasi të konsiderueshme valute, rreth 800 milionë euro deri në fund të 9-mujorit 2025, për të frenuar rënien e mëtejshme të euros.
Pa këto ndërhyrje, ekspertët vlerësojnë se kursi do të kishte rënë edhe më poshtë. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka njoftuar se për vitin 2026 do të rrisë blerjet e planifikuara të valutës, me synim forcimin e rezervës valutore.
Një faktor tjetër që ka ndikuar në forcimin e lekut është politika fiskale shtrënguese e qeverisë, e shoqëruar me suficit buxhetor. Megjithatë, shpenzimet e pritshme në fund të dhjetorit mund të sjellin një rritje të përkohshme të kursit të euros në ditët në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






