

VLORË- Qyteti turistik i Vlorës nuk ka ujë pikërisht në këto ditë festash. Prej 48 orësh, qyteti bregdetar i Vlorës po përballet me një situatë emergjente në furnizimin me ujë të pijshëm. Një defekt në linjën kryesore të transmetimit ka lënë pa ujë mijëra banorë, duke vështirësuar ndjeshëm jetesën e përditshme dhe funksionimin e institucioneve.
Një ndërhyrje e ndërmarrë dy ditë më parë për riparimin e një defekti të vogël në rrjetin e ujësjellësit është shndërruar në një avari të rëndë, duke përkeqësuar ndjeshëm situatën e furnizimit me ujë në qytet.
Sipas informacioneve, vetëm pak orë pas ndërhyrjes, ka plasur i gjithë tubacioni, duke e nxjerrë plotësisht jashtë funksionit linjën e furnizimit. Ndërhyrja, që supozohej të zgjidhte problemin, ka sjellë pasoja edhe më të rënda për qytetarët.
Nga një bisedë mes Kryetares së Bashkisë dhe Drejtorit të Ujësjellësit, e bërë publike përmes një audioje, mësohet se pjesa e nevojshme për riparim po kërkohet në Selanik, por ende nuk është siguruar. Kjo ka shtuar pasigurinë për rikthimin e furnizimit me ujë.
Burime bëjnë me dije se ujë nuk do të ketë as sot dhe as nesër, ndërsa nuk përjashtohet që ndërprerja të zgjasë gjatë gjithë javës. Kjo gjë ka bërë që vlonjatët t’i drejtohen burimeve të ujit të pijshëm të qytetit. Me dhjetëra qytetarë të Vlorës po presin në radhë njëri pas tjetrit për të mbushur ujë në burimet e qytetit pasi nuk kanë ujë në shtëpitë e tyre
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






